Në nëntor të vitit 2006 përmes këtij dokumenti që shihni, Ahmetaj e bashkon me përthithje “Hermes” me kompaninë “H-Communication”.

Emri “Hermes” zhdukej. Emri i kompanisë së re do të ishte “H-Communication”. Në momentin e bashkimit, Ahmetaj kontrollonte përmes bashkëshortes 65 % të aksioneve.

Paketa e mbetur prej 35 % ishte në pronësi të Vilma Nushit. Kjo e fundit, ka marrë konçesionin e Chek-Up në Shëndetësi në vitin 2013, kohë kur ortaku i saj Arben Ahmetaj u bë ministër i Ekonomisë. Në detyrën e administartorit në kompani ishte Arben Seferaj, një emër i njohur të cilit Ahmetaj do ti jepte dorë për ngjitjen në krye të OSHEE në vitin 2014, pas rishtetëzimit të kompanisë. Në vitin 2003, siç Ahmetaj ka sqaruar në deklaratën e pasurisë, aksionet e tij ia ka kaluar bashkëshortes. Por, de fakto ai nuk heq dorë kurrë nga kontrolli teksa ekspozohet si konsulent. Në periudhën mes viteve 2005-2008 është paguar me 1 milionë e 50 mijë lekë të reja nga kompania.

Referuar kësaj kontrate që shihni, në 28 Maj të vitit 2008, “H-Communication” shitet tek kompania “Albania Online Service Provider”. Vlera totale e shitjes ishte 1.8 milionë euro. Bashkëshortja e Ahmetajt përfitonte 795.600 euro për 44.2 % të aksioneve. Blerësit do të paguanin menjëherë 60 % të vlerës ndërsa interesante është një klauzolë e kontratës. Aty, përmendet konflikti i mbartur i “Hermesit” të Arben Ahmetajt për abuzimin me Albtelecom. Pagesa e mbetur prej 40 % do të kryhej kur të zgjidhej në favor konflikti me Albtelecom për marrëveshjen e interkonjeksionit të vitit 2000. Në kontratë shuma e cilësuar e skandalit me Albtelecom është 2.2 milionë dollar. Nuk dihet nëse është lapsus pasi në padinë në gjykatë, shuma e kërkuar nga kompania e Ahmetajt është plot 22 milionë dollar abuzim.

Me bashkimin në kompaninë e re, tashmë u zhduk nga QKB “H-Comunication” e cila kishte emrin dhe gjurmët e Ahmetajt. Por, bie në sy fakti se shuma prej 795 mijë eurosh për paketën e aksioneve të bashkëshortes së Ahmetajt nuk rezulton të jetë renditur në deklaratën e pasurisë për periudhën në fjalë. Pra, me gjasë shitja nuk u bë kurrë dhe familja Ahmetaj ishte ende kontrolluese e biznesit. Ose në të kundërt, jemi përballë evazionit fiskal dhe mosdeklarimit korrekt të pasurisë për një vlerë rreth 800 mijë euro.

Në oktapodin e transaksioneve përfshihet edhe kompania “Bindi Integrated”, sërish subjekt i lidhur ngushtë me Arben Ahmetajn. Referuar deklarimit të pasurisë, ai rezulton se është paguar plot 45 mijë euro nga kjo kompani si konsulent i jashtëm, për periudhën shtator 2008-mars 2009.

Në fakt, “Bindi Integrated” u shkri për tu bashkuar me të njëjtën kompani që përthithi “Hermesin” e famshëm të Ahmetajt. Ky është dokumenti që tregon kalimin 100 % të kuotave në favor të “Albania Online Service Provider”. Në këtë dokument tjetër, zbulohet se bashkimi në fakt është në kompaninë “Primo Communication” që është emri i ri i “Albania Online Service Provider”. Pra, Ahmetaj është paguar nga një kompani që praktikisht u bashkua me subjektet që dikur vetë themeloi dhe përvetësoi miliona nga shteti.

Kompania Albania Online Service Provider” ka përthithur edhe subjektin “Albania Fiber Backbone”.

Bie në sy fakti se në këtë kompani rezulton aksioner themelues “Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve”. Nga verifikimi i deklarimit të pasurisë, në periudhën Janar-Shtator 2004 bashkëshortja e Ahmetajt, Albina Mançka ka marrë 18 mijë dollar shpërblim nga Fondi. Pra, jemi para një tjetër bashkimi kompanish të lidhura me Ahmetajn.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA