Në atë kohë, Ahmetaj i futet biznesit privat. Ai kishte mjaftueshëm lidhje dhe pushtet për të synuar kontratat e majme shtetërore.
Në 24 Korrik të vitit 2000 Arben Ahmetaj krijoi Kompaninë “Hermes” që operonte në fushën e telekomunikacionit.
Fillimisht ai është aksioner i vetëm dhe administrator. Më pas, tërhoqi në ortakëri emra të njohur që zotërojnë sot konçesione dhjetëra miliona euro.
“Hermes” ishte një ndër kompanitë “rurale” të telefonisë fikse që bënte interkonjeksionin me Albtelecomin e asaj kohe. Subjekti ofronte shërbimin në rrethinat e Tiranës dhe Durrësit. Një kompani që do ti siguronte Ahmetajt miliona dollarë fitime dhe një njollë të madhe korrupsioni. Një histori që me gjithë përpjekjet për ta mbuluar, vijon ta përndjekë. Por, le ti marrim gjërat me radhë.
Në 16 Gusht të vitit 2000, kompania e Ahmetajt regjistrohet në QKB. Edhe pse pa eksperiencën e nevojshme, vetëm dy javë më vonë, në 31 Gusht 2000 biznesmeni Ahmetaj arrin të sigurojë një kontratë të majme me Albtelecom për shkëmbimin e trafikut të telefonisë. Kontrata u firmos nga drejtori i atëhershëm i Albtelecom Dhimitraq Rafti, i konsideruar një prej njerëzve të afërt të Arben Ahmetajt dhe kryeministrit të kohës Ilir Meta.
Pas debateve dhe akuzave të shumta që shkaktoi aso kohe skandali i kontratës së interkonjeksionit me “Hermes”, Rafti do të shkarkohej nga detyra. Kontrata pasoi edhe nënshkrimin e 4 shtojcave. Këtu fshihet edhe abuzimi që favorizonte hapur kompaninë e Ahmetajt dhe i sillte shtetit dhjetëra milionë dollarë dëm.
“Afera e tij e pandëshkuar nga drejtësia edhe për shkak të kalimit të afateve daton me çështjen e Albtelecom ku është finalizuar si aferë në 2004, afera denoncohej shumë nga ish presidenti Berisha dhe paralajmëronte për ngritjen e një komisioni hetimor, u ngrit, u faktuan dhjetëra milionë euro të vjedhura përmes shitjes së impulsive telefonike që Albtelecomi i bënte kompanisë “Hermes” Arben Ahmetaj dhe impulset i shiteshin me një çmim 40 herë më lirë kompanisë Hermes dhe kompania përmes rishitjes përfitonte miliona euro” u shpreh gazetari, Adriatik Doçi.
Në një prej shtojcave të kontratës me Albtelecom, parashikohej tarifimi i kompanisë së Ahmetajt me vetëm 0.5 lekë për impuls telefonik. Kjo binte në kundërshtim me vendimin e Këshillit Mbikqyrës të kompanisë shtetërore të telefonisë që kishte vendosur një çmim prej 4 lekësh. Pra, kompanitë e tjera rurale që ofronin të njëjtin shërbim si Arben Ahmetaj paguanin plot 3.5 lekë më shumë për impuls. Çmimi mund të ndryshohej vetëm me vendim parlamenti pasi shërbimi i telefonisë aso kohe ishte i një rëndësie strategjike.
Nga përllogaritja që Albtelecom ka bërë më pas, dëmi ekonomik i shkaktuar nga biznesi i Ahmetajt është plot 22 milionë dollar. Kjo është shuma që ka kërkuar ish-kompania shtetërore në procesin ligjor në gjykatë. Bëhet fjalë për fitimin e munguar që do të duhej të shkonte në arkën e shtetit, por ka shkuar në arkat e kompanisë së Arben Ahmetajt.
Top Channel