Pagesat për hotelet luksoze janë vetëm maja e ajsbergut nga përfitimet që Ahmetaj ka pasur nga biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto.
Në një prej fshatrave më luksoze në bregdetin e Lalzit, saktësisht në Hamallaj ndodhet vila me numër F.022, ku shpesh shihet nga fqinjët të akomodohet ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
“Inside Story” ka siguruar disa dokumente ekskluzive që zbulojnë këtë dhuratë të majme me vlerë deri në 1 milionë euro për Ahmetajn.
Në shkurt të vitit 2014, miku i ngushtë i Arben Ahmetajt, biznesmeni Gerian Kuka firmos një kontratë sipërmarrje për ndërtimin e një fshati turistik në Dhërmi si pronar i 13 mijë metrave tokë. Referuar kësaj kontrate që shihni, ai do të përfitonte 22 % të sipërfaqes ndërtimore.
Por, në vitin 2018, kontratës i bashkëngjitet kjo shtojcë. Aty palët bien dakord që në marrëveshje të përfshihet edhe një vilë në kompleksin në Hamallaj që ndërtohej nga e njëjta kompani. Për vilën thuhet se komapnia do të kompensohej nga investitori.
Dhe në fakt, ashtu ndodh zyrtarisht. Në 19 Nëntor 2021, firmoset kjo kontratë për blerjen e vilës nga miku biznesmen i Ahmetajt, Gerian Kuka. Prona blihet për vlerën e 174.650 euro. Një vlerë e papërfillshme për një vilë luksoze me sipërfaqe ndërtimi 221 metër katror dhe oborr 521 metra katrorë
‘De facto’ porositësi rezulton biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto dhe përfituesi i vërtetë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj. Në këtë email të siguruar nga “Inside Story”, e cila gjendet edhe në kompjuterin e tij, të sekuestruar nga SPAK, kompania ndërtuese njofton në 20 Qershor 2017 biznesmenin Zoto për ecurinë e punimeve pikërisht në vilën F.022. E njëjta që me letra u ble nga Gerian Kuka, por me pronar fundor Arben Ahmetajn.
I nderuar zoti Zoto, përshëndetje. Dëshirojmë tju vëmë në dijeni për ecurinë e punimeve në vilën tuaj F.022 në ‘vala Mar Residences”
Disa muaj më vonë, në 22 nëntor të vitit 2017 punimet për vilën përfundojnë. Kompania ndërtuese i adreson një tjetër email biznesmenit Zoto ku e font të paraqitet për të marrë në dorëzim vilën e tij. Pra, të njëjtën që figuronte në emrin e biznesmenit gerian Kuka.
I nderuar zoti Klodian Zoto, ju lutem të respektoni afatet për paraqitjen dhe marrjen në dorëzim të asetit tuaj në kompleksin rezidencial “Vala Mar Residences” në Hamallaj. Pra, Zoto është porositësi i vërtetë. Tani, le të zbulojmë pronarin e vërtetë. Në 31 Mars të vitit 2022, Gerian Kuka ia shet vilën shtetases Erjola Hoxha. Fjala është për partneren e Arben Ahmetajt me të cilën nuk ka celebrime. Pra, i njëjti person që rezultonte edhe në faturat e hoteleve të mbuluara nga Klodian Zoto. Vlera e shitjes së vilës F.022 është 220 mijë euro.
Pra, Gerian Kuka, miku i Ahmetajt që dilte në oktapodin e kompanive të ish-ministrit, i shet vilën bashkëshortes së tij. Këto dokumente, zbulojnë jo vetëm pronarin e vërtetë të vilës por edhe fiktivitetin e veprimeve për të mbuluar një pronë të padeklaruar. Këto prova, mund të jenë pikënisje për një hetim pasuror të organeve ligjzbatuese.
Këtu kemi sërish devijim të hetimeve nga prokurorët Braho dhe Nakuçi, të cilët jo vetëm nuk kanë verifikuar emailin e Zotos për vilën në Lalëz, por as nuk kanë nisur kurrë një hetim sesi një vilë që kushton të paktën 1 milionë euro, është blerë nga bashkëjetuesja e Ahmetatj për 220 mijë euro.
Top Channel