Koordinatori për Ndihmë Emergjente i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, tha se pothuajse 8 milionë persona janë larguar nga Ukraina, që kur nisi konflikti gati një vit më parë.
Pothuajse 8 milionë persona janë larguar nga Ukraina për në shtetet fqinje, ndërkaq 5.3 milionë persona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, tha Griffiths në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kreu i Zyrës për Koordinim dhe Çështje Humanitare të OKB-së, tha se 17.6 milionë persona, apo pothuajse 40 për qind e popullatës së Ukrainës, kanë nevojë për ndihmë humanitare.
Griffiths tha se më vonë gjatë këtij muaji, në Gjenevë do të prezantojë Planin për Përgjigje Humanitare për Ukrainën. Ai tha se ky plan kërkon një shumë prej 3.9 miliardë dollarësh.
“Dhuna nuk po tregon asnjë shenjë që po zbutet”, tha ai.
Mbi 7.000 civilë janë vrarë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, thuhet në shifrat e prezantuara nga OKB-ja.
“Numri real i viktimave sigurisht që është më i lartë”, tha Griffiths.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka shkaktuar lëvizjen më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore./Voa
Top Channel