Paqartësi mbi drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës

06/02/2023 16:25

Ukraina dha të hënën mesazhe të përziera mbi fatin e ministrit të mbrojtjes Oleksii Reznikov, duke ngjallur paqartësi lidhur me postin kyç në një kohë kur pritet një ofensivë e re ruse.

Është shfaqja e parë publike e problemeve në udhëheqjen e Ukrainës, që për pothuajse një vit që kur filloi lufta ka treguar një unitet të jashtëzakonshëm.

Një ditë pasi njoftoi se ministri Reznikov do të hiqej nga detyra, një aleat kryesor i Presidentit Volodymyr Zelenskiy tha se nuk do të bëheshin ndryshime personeli në sektorin e mbrojtjes këtë javë.

David Arakhamia, shefi i grupit parlamentar të partisë së zotit Zelenskiy, kishte thënë se kreu i zbulimit ushtarak, Kyrylo Budanov, do të merrte drejtimin e ministrisë së mbrojtjes, ndërsa zoti Reznikov do të bëhej ministër i industrive strategjike.

Por presidenti Zelenskiy nuk u shpreh për këtë çështje, ndërsa zoti Reznikov tha të dielën se nuk ishte informuar për ndonjë lëvizje dhe do të refuzonte postin në krye të ministrisë së industrive strategjike, nëse i ofrohej.

Paqartësitë pasojnë dy javë ndryshimesh në udhëheqjen e Kievit, më të mëdhatë që nga fillimi i agresionit rus. Zyrtarë qendrorë dhe rajonalë janë hequr nga detyra, forcat e sigurisë bastisën shtëpinë e një miliarderi, prokurorët njoftuan një rast mashtrimi masiv në kompaninë dhe rafinerinë më të madhe të naftës dhe disa ish-zyrtarëve u është hequr shtetësia.

Zoti Zelenskiy i ka paraqitur këtë masa si një tregues se Kievi mund t’i menaxhojë siç duhet miliarda dollarët e ndihmës perëndimore. Por lëvizjet rrezikojnë njëkohësisht të destabilizojë udhëheqjen pas gati një viti gjatë të cilit klasa politike e Kievit ka qenë e bashkuar kundër agresionit rus.

Ndërkohë, forcat ruse kanë përparuar për herë të parë në gjashtë muaj në lindje të Ukrainës. Një guvernator rajonal tha se Moska po dërgonte përforcime për një ofensivë të re që mund të fillojë javën e ardhshme./Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA