Kryebashkiaku Erion Veliaj ka folur sot për identitetin historik të Tiranës, ku është shprehur se si ky identitet është ruajtur duke rijetëzuar vlerat më të mira të qytetit, por edhe se si investimet e reja po i japin frymë Tiranës së të ardhmes.
Ai shprehet se përqasja e Bashkisë së Tiranës ka qenë e trefishtë. “Ne duam të ruajmë Identitetin Historik, duke konservuar ndërtesa dhe hapësira të rëndësishme; t’i japim jetë ndërtesave dhe hapësirave historike, dhe e treta, të investojmë në krijimin e një Tirane për të ardhmen, duke ndërtuar hapësira, por edhe ndërtesa bashkëkohore për 100 vitet e dyta të Tiranës Kryeqytet”, shprehet ai në videomesazh.
Veliaj sqaron se në tetë vitet e fundit në Tiranë nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në hapësirat e shpallura monumente kulture, duke hedhur poshtë çdo akuzë të opozitës mbi këtë çështje. “Kushdo që thotë të kundërtën, nuk thotë të vërtetën, madje gënjen. Çfarë është vlerë për qytetin, do të mbetet vlerë për qytetin dhe asnjë ndërtim nuk është bërë në një monument kulture. Çfarë ka vlerë është ruajtur, është restauruar, i është rikthyer publikut dhe qytetarëve, në funksion edhe të zhvillimit turistik, edhe të ekonomisë lokale”, thotë ai.
Nga ana tjetër, sipas tij, identiteti i një qyteti nuk mund të jetë një imazh statik, apo nostalgjik, nuk mund të jetë i ngrirë në kohë, që këqyret nga jashtë si të jetë një vitrinë, apo një muze. “Ne s’mund të zgjedhim që do e ruajmë të ngrirë Tiranën e viteve ’20, kur u shpall Kryeqytet e kur këtu jetonin vetëm 20 mijë banorë, apo edhe atë të pasluftës, apo atë të viteve ‘70, apo Tiranën e viteve ’90, ku banonin 190 mijë vetë, dhe as ketë të sotmen, me 1 milion banorë, nuk e ruajmë dot të pandryshuar”, sqaron ai.
Si shembull konkret të ruajtjes së vlerave dhe identitetit historik të Tiranës, Veliaj solli godinën e Sarajeve të Toptanëve, kujdesin për Kullën e Sahatit, Pazarin e Ri, Kalanë e Tiranës etj. “Përqasja jonë për konservim është mishëruar në sjelljen tonë me ndërtesën e ‘Sarajeve’, të cilën e shpëtuam kur donin ta digjnin për ta bërë pallat dhe po e kthejmë në një hapësirë muzeale, për të cilën kemi nisur punën për ta restauruar dhe hapur për publikun, si Muze Etnografik i qytetit. Po ashtu bëmë edhe me pallatin e Maks Velos, ku janë edhe shtëpitë e dy shkrimtarëve të mëdhenj, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, të cilat sot janë kthyer në pole turistike, si muze të qytetit. Kulla e Sahatit është një tjetër xhevahir identifikues i Tiranës. Prandaj, vetëm pak orë pasi kemi hyrë në këtë zyrë në 2015-ën, puna e parë që bëmë ishte rregullimi i orës, që i kishte ngecur për 4 vite, nga ata që sot bërtasin për identitetin, por nuk e kishin fare problem që Sahatit i kishte ngelur ora, edhe qytetit gjithashtu,” u shpreh ai.
Veliaj u ktheu përgjigje edhe atyre që kritikojnë ndërtimin e kullave në Tiranë. “Jo pak njerëz thonë se sfondi i Sahatit po shkatërrohet nga kullat që ndërtohen pas tij. Përgjigjja ime është e thjeshtë: për 30 vjet sfondi i Sahatit ishte “Torre Drini”, një kullë pa asnjë vlerë estetike dhe arkitekturore, ndërtim tipik barez i Italisë së Jugut. Jam gati të vë bast se sfondi i ri, i një hoteli me 5 yje, duke ruajtur dizajnin karakteristik, do të jetë shumë më dinjitoz mbas Sahatit, seç ishte “Torre Drini”. Xhamia e Et’hem Beut u restaurua dhe iu rikthye zemrës së Tiranës me një imazh super dinjitoz. Më kujtohet ende histeria dhe paniku që u krijua nga gjithologët, që thoshin po bie minareja, dhe ngatërronin silikonin e çatisë provizore me vetë minaren dhe dëmtimin e saj që nuk ndodhi kurrë,” nënvizoi kreu i Bashkisë.
Ai gjihashtu tha se “Shtëpia e Gjetheve” dhe “Bunk’Art” janë sot dy muzetë më të vizituar të Tiranës. “Edhe për Teatrin Kukullave ka pasur shumë spekulime. Ndaj, dua ta sqaroj se gjysma e hapësirës tek ish Garda e Republikës, e cila i ka kaluar Bashkisë, do të përdoret për Teatrin e ri të Kukullave, që fëmijët të mos shkojnë në një ndërtesë të vjetër me batanije dhe peshqirë, por të shkojnë në një teatër modern. Pjesa tjetër do të jetë për Bibliotekën e re Kombëtare. Të gjithë e dini që biblioteka ekzistuese është e tejmbushur me libra dhe ndër vite ka pasur probleme, edhe me zjarrin dhe me përmbytjet. Kurse, pjesa tjetër e gardës, pas Bibliotekës dhe Teatrit të Kukullave, i bashkohet Parkut të Liqenit si një tjetër hapësirë e gjelbër, që i shtohet atij transformimi të madh që ka ndodhur në Parkun e Liqenit,” tha Veliaj.
Top Channel