Sezoni i shkuar turistik nxori në pah dëmet që po shkakton hemoragjia e emigrimit të fuqisë punëtore.
Një sondazh i PNUD-it (Program i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim) i zhvilluar në bizneset e hotelerisë në vjeshtën 2022 gjeti se, 75% e hoteleve në pikun e sezonit turistik punojnë me mangësi në staf. 56% e tyre renditën si problem kryesor mungesën e fuqisë punëtore dhe 26% pohuan se kanë problem me aftësitë e punonjësve.
“Shqipëria ka problem me sezonalitetin e shkurtër. 65% e turistëve që vijnë në vendin tonë, hyjnë në periudhën qershor, korrik, gusht. Me një sezonalitet të tillë 3-4 mujor, ti nuk mund të kesh punonjës të specializuar dhe të trajnuar. Përveçkësaj ka problem të tjera që lidhen me punonjësit e huaj që punojnë në biznëset shqiptare. Mbasi mbaron sezoni, është sfidë e madhe gjetja punë për këta punonjës. Të kushton më shtrenjtë po qe se punojnë 5 muaj dhe 7 të tjera duhet t’i mbash me paga.
Ne i kemi bërë kërkesë Ministrisë së Turizmit për ta zgjidhur këtë ngërç, siç ka bërë rajoni p.sh. Greqia i paguan 7-8 muaj punonjësit në turizëm dhe 4-5 muaj i subvencionon. Ka edhe metoda të tjera që i aplikon jo më larg se rajoni. E para duhet të subvencionohen pensionistët për të bërë pushime jashtë sezonit. Një mënyrë tjetër është të nxiten ekskursionet e shkollave për të njohur vendin, siç bën Kosova p.sh që subvencionon shkollat të bëjnë udhëtime nëpër Kosove dhe Shqipëri.
Jo më larg se disa ditë përpara Gjermania njoftoi se do t’i hapë rrugën çdo punonjësi edhe të pakualifikuar nga Ballkani. Besoj se pjesa më e madhe e këtij kontigjenti prej 50 mijë punonjësish do të plotësohet me shqiptarë”, shpjegon Zak Topuzi, Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.
Top Channel