Ish-presidenti i Pakistanit, gjenerali Pervez Musharraf ka vdekur në moshën 79-vjeçare.
Musharraf mori pushtetin në një grusht shteti në vitin 1999. Ai drejtoi vendin nga viti 2001 deri në vitin 2008. Gjatë kësaj periudhe ai i mbijetoi tentativave të shumta për vrasje.
Gjenerali mbështeti “luftën kundër terrorit” të SHBA-së pas 11 shtatorit, pavarësisht kundërshtimit të brendshëm, ndërsa u vlerësua për zhvillimin ekonomik të vendit. Por vrasja e ish-kryeministres pakistaneze Benazir Bhutto nga talebanët në 2007, ngjarje që tronditi Pakistanin dhe botën dobësoi pushtetin e Musharraf me akuzat se nuk garantoi sigurinë e duhur për ish-kryeministren.
Në vitin 2008, pas humbjes së thellë në zgjedhje, gjenerali u largua jashtë vendit. U rikthye në vitin 2013 për të rikandiduar, por u arrestua ‘për tradhti të lartë’ dhe nuk u lejua të përfshihet në zgjedhje. Ai u dënua me vdekje, vendim që u anulua një muaj më vonë. Pas kësaj, u largua nga Pakistani.
Gjenerali u zhvendos në Dubai në vitin 2016 për të kërkuar trajtim mjekësor dhe që atëherë jetonte në mërgim në vend.
Musharraf vdiq në spital të dielën në mëngjes, konfirmuan zyrtarët për agjencitë e lajmeve. Trupi i ish-liderit do të kthehet nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Pakistan për t’i bërë nderimet e fundit.
Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif dhe krerët ushtarakë të vendit kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-liderit pakistanez.
Top Channel