Pas njoftimeve nga Frontex, agjencia kufitare e BE-së, se imigrantët dhe azilkërkuesit po përdorin kryesish Ballkanit për të kaluar në Evropën Perëndimore, grupet kërkimore argumentojnë se kjo po ndodh për shkak se rrugët detare po bëhen më të rrezikshme.
Ndërkohë, në Trieste të Italisë, organizatat jofitimprurëse thonë se qendrat për strehimin e imigrantëve po mbingarkohen nga prurjet.
Që nga koha e luftërave në ish-Jugosllavi, qyteti bregdetar i Triestes ka qenë një vendndodhje për imigrantët dhe azilkërkuesit që shkojnë në Evropën Perëndimore. Sipas organizatave jofitimprurëse lokale, qyteti ka një sistem të mirë për strehimin dhe trajtimin e imigrantëve. Por duke filluar nga sezoni i verës, qyteti është përballur me vështirësi.
Gianfranco Schiavone, president i organizatës Konsorciumi Italian i Solidaritetit (Consorzio Italiano di Solidarietà), thotë se dikur qytetit i mbaroheshin strehimet për të ardhurit e rinj.
“Kjo ndodhte për pak ditë, por jo më shumë. Verën e kaluar ndodhi për disa javë, ndaj situata është shumë e rëndë. Madje edhe tani në dimër situata është e vështirë”.
Sanam Gul Sinwari mbërriti në Trieste nga Afganistani një muaj më parë. Ai zgjodhi rrugën e Ballkanit pasi i shpenzoi të gjitha paratë në përpjekjet e dështuara për të gjetur një varkë nga Turqia drejt Greqisë.
Gjatë rrugëtimit, ai kaloi lumenjtë e Kroacisë dhe u rrah nga policia në Bullgari, duke i sekuestruan gjithçka kishte, thotë ai për Zërin e Amerikës.
“Kam qenë ushtar dhe pas rënies së Kabulit, ekonomia u rrënua. Ndaj vendosa të largohem sepse jeta ime ishte në rrezik (nga talebanët) dhe për mundësi më të mira ekonomike. Italianët janë shumë mikpritës por sistemi nuk funksionon. Po flemë jashtë në rrugë”.
Ai dhe rreth 100 imigrantë të tjerë flenë në këtë magazinë të braktisur.
“Për fat, kam një strehë për tre netë. Por nëse vjen dikush në gjendje të keqe i jepet përparësi për strehën”, thotë ai.
Vullnetari Ismail Swati thotë se situata është përkeqësuar.
“Më parë konsiderohej si situatë emergjente kur në këtë magazinë flinin 25 apo 30 veta. Por nga mesi i korrikut po shtohen shifrat, në disa raste ka rreth 300 njerëz që flenë këtu”.
Agjencia e Bashkimit Evropian për kufirin, Frontex, thotë se Ballkani është bërë rruga kryesore e imigrantëve që shkojnë drejt BE-së. Rruga tokësore ballkanike është bërë më e rëndësishme se sa kanali detar i Mesdheut nga Libia drejt Italisë.
Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Carmine Conte të Grupit të Politikave të Migracionit me qendër në Bruksel.
“Ka mungesë të rrugëve ligjore për futjen në Evropë në rrugë të sigurtë. Tjetër problem është se Mesdheu është bërë shumë i rrezikshëm. Vende si Italia dhe Greqia po miratojnë politika shumë kufizuese”.
Taktikat, të paligjshme sipas rregullave të BE-s-, dhe të përdorura shpesh nga roja bregdetare italiane dhe greke, që ndalojnë ardhjen në breg të anijet me imigrantë, janë dokumentuar më së miri. Madje, në Itali imigrantët janë penguar që të zbresin nga barkat e shpëtimit.
Goran Buldioski, me organizatën Fondacioni i Shoqërisë së Hapur me qendër në Shtetet e Bashkuara, thotë se veprimet e vendeve si Italia dhe Greqia nuk po frenojnë imigrantët që të zgjedhin Ballkanin në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Evropian.
“Nuk po frenohen aspak, dhe jo për shkak të vështirësive të tyre të dokumentuara. Por, gjithashtu, është për shkak të një politike të dështuar parandaluese”.
Ai thotë se vendet evropiane duhet të zbatojnë politika më të arsyeshme që garantojnë sigurinë e imigrantëve.
Afganasi Sinwarit thotë se shpreson të kërkojë azil sa më shpejt të jetë e mundur dhe se familja e tij në Afganistan varet nga ai./Voa
Top Channel