Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka shtyrë udhëtimin e planifikuar për në Kinë, për shkak të tensioneve të krijuara nga balona kineze që fluturoi mbi qiellin e shtetit të Montanës.
Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit njoftoi se sekretari Blinken do të udhëtojë për në Kinë “kur të mundësohen kushtet për një gjë të tillë”.
Pekini e ka pranuar se balona i përkiste atij, por tha se ajo kishte dalë nga kursi për shkak të erërave të forta.
“Balona është nga Kina. Ajo përdoret për kërkime, kryesisht për qëllime meteorologjike”, u tha në deklaratën e një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme kineze.
“Kinës i vjen keq për këtë shkelje të paqëllimshme të hapësirës ajrore të SHBA-së”, u tha në deklaratë.
Shtetet e Bashkuara vendosën që për shkaqe sigurie të mos e rrëzojnë atë.
Pasi presidenti amerikan, Joe Biden, pyeti për opsionet ushtarake, sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe zyrtarët e lartë ushtarakë menduan ta rrëzonin balonën, u tha gazetarëve të enjten një zyrtar i lartë i Mbrojtjes.
Por, në fund, ata vendosën të mos e bënin këtë, duke thënë se një veprim i tillë do të rrezikonte shumë njerëz në tokë, si dhe vlerësuan se balona nuk përbënte kërcënim për aviacionin civil, tha zyrtari.
“Është e qartë se qëllimi i balonës është vëzhgimi”, tha zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.
Top Channel