Një balonë që dyshohet se është kineze dhe që përderet për përgjime po fluturon mbi Shtetet e Bashkuara prej disa ditësh, thanë zyrtarët amerikanë të enjten.
Nëse kjo konfirmohet ky do ishte një veprim i rëndë, që po ndodh disa ditë para një udhëtimi të planifikuar në Pekin të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Kina tha sot se po “verifikonte” raportet për balonën e dyshuar dhe bëri thirrje që kjo çështje të trajtohet “me qetësi dhe maturi”.
Objekti që duket se është një balonë përgjimi është vërejtur mbi qytetin Billings, në Montana. Ajo po fluturon në një lartësi mbi trafikun ajror komercial dhe nuk paraqet rrezik ushtarak apo fizik për njerëzit në tokë.
“Po shikoja nga dritarja si zakonisht, kur vura re balonën. Në fillim mendova se ishte një yll, por kjo s’kishte mundësi pasi ishte mesi i ditës. Më pas e kuptova se ishte shumë i madh për të qenë yll”, tha zoti Doak.
Incidenti mund të nxjerrë në pah deri ku Pekini dhe Uashingtoni janë të gatshëm të shkojnë për të spiunuar njëri-tjetrin ndërsa tensionet mes superfuqive botërore janë në rritje. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pritet të udhëtojë në Kinë javën e ardhshme për një vizitë për të cilin kishin rënë dakord në nëntor presidenti Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping.
Zbulimi i balonës së përgjimit mund të ndikojë mbi këto plane.
John Parachini, studiues ndërkombëtar i mbrojtjes në institutin RAND thotë se koha kur ky incident po ndodh “është për të ardhur keq”.
“Nuk është e qartë se balona mund të bëjë ndonjë përgjim më të madh, se sa satelitët kinezë. Presidenti Biden ka folur për mbajtjen e linjave të komunikimit të hapura me qeverinë kineze. Udhëtimi i Sekretarit Blinken në Kinë në ditët në vijim ishte pjesë e kësaj përpjekjeje. Kjo tani krijon një ndërlikim si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Kinën dhe është një provokim për të ardhur keq”, tha zoti Parachini.
Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy shprehu zemërimin e tij në rrjetin social Twitter.
“Mospërfillja e pacipë e Kinës për sovranitetin e SHBA-së është një veprim destabilizues që duhet trajtuar”, shkroi ai në Twitter.
“Presidenti Biden nuk mund të heshtë”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning tha se Pekini po “verifikonte” situatën dhe paralajmëroi kundër spekulimeve.
“Kina është një vend i përgjegjshëm, që ka respektuar gjithmonë ligjet ndërkombëtare dhe nuk ka ndërmend të shkelë territorin dhe hapësirën ajrore të ndonjë vendi sovran. Lidhur me këtë çështje, jemi në procesin e verifikimit të situatës dhe shpresojmë, që të dyja palët ta trajtojnë atë së bashku me qetësi dhe kujdes”, tha zonja Mao.
Balona përgjimi kanë fluturuar disa herë mbi Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të fundit, por ky balon duket se ka qëndruar më gjatë se në rastet e mëparshme, tha një nga zyrtarët amerikanë.
Zyrtarët thanë fillimisht se avionët luftarakë u mobilizuan për ta goditur atë. Por, Pentagoni këshilloi presidentin Biden të mos e bënte këtë nga frika se mbeturinat mund të përbënin një kërcënim sigurie/Voa
Top Channel