Protesta kundër juntës ushtarake në Mianmar, mbushen dy vite nga grushti i shtetit

01/02/2023 14:55

Rrugët u zbrazën dhe dyqanet u mbyllën në shenjë proteste në të gjithë Mianmarin të mërkurën, në përvjetorin e dytë të grushtit të shtetit që rrëzoi qeverinë e Aung San Suu Kyi, ndërsa junta ushtarake ka lënë të kuptohet se mund të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të vonojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Mianmari ka qenë i mbushur me trazira që nga rrëmbimi i pushtetit nga ushtria dhe goditja e përgjakshme ndaj disidencës, e cila ka ndezur vatra lufte në të gjithë territorin e vendit dhe ka ngadalësuar ekonominë. Fuqitë perëndimore filluan një valë të re sanksionesh kundër gjeneralëve në përvjetorin e dytë, por raundet e mëparshme kanë qenë të pamjaftueshme për të dobësuar juntën.

Ndërkohë, jashtë ambasadës së Myanmar në Bangkok, kryeqytetin e Tajlandës u mblodhën rreth 300 protestues duke brohoritur parulla kundër ushtrisë dhe duke mbajtur portrete të Suu Kyi. Qytetarë të arratisur nga vendi shprehën frikën dhe mllefin e tyre.

“Këtë mëngjes u zgjova me sytë e fryrë dhe shumë i zemëruar. Ne jemi kundër ushtrisë dhe gjithë mbështetësve të tyre. Ata godasin pa mëshirë të gjithë njerëzit, veçanërisht të rinjtë. Nuk do të isha i sigurt atje”, thotë një qytetar.

“Ne duhet të jemi brezi i fundit nën thundrën e diktaturës. Unë kam shpresë, se do t’ia dalim“, shprehet një tjetër.

Junta ushtarake e justifikoi rrëmbimin e pushtetit më 1 shkurt 2021 në fakte të pabazuara se partia e Suu Kyi-t i fitoi zgjedhjet duke përhapur mashtrime.  Gjendja e jashtëzakonshme e vendosur nga junta do të përfundonte në fund të janarit, pas së cilës kushtetuta thotë se autoritetet duhet të mbajnë zgjedhje të reja, por ato ende po mbahen pezull.

Më shumë se 2.900 njerëz janë vrarë në goditjen e ushtrisë ndaj disidencës që kur ajo mori pushtetin dhe më shumë se 18.000 janë arrestuar, sipas një grupi lokal monitorues.

Junta përfundoi së fundmi një seri gjyqesh të mbyllura të Suu Kyi-t, duke burgosur armikun e saj të gjatë për një total prej 33 vitesh në një proces që grupet e të drejtave të njeriut e kanë cilësuar si një mashtrim.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA