Porti i ri i Durrësit/ Prezantohet projekti para kompanive, do ndërtohet me koncesion për 15 vite

01/02/2023 16:40

Qeveria ka zhvilluar një tryezë diskutimi me 40 kompani ndërkombëtare për të prezantuar projektin e porit tregtar të Durrësit në Porto Romano.

Në tryezë ishin ftuar përfaqësues të kompanive ndërkombëtare dhe vendase, ndërsa firma konsulente Royal Haskoning DV prezantoi detajet tekniko-financiare për projektin.

Për kryeministrin Rama transparenca në këtë tender ndërkombëtar është çelësi i suksesit

“Takimin konsultativ mbi projektin që ka zgjuar një interes të madh e përshëndeti edhe Kryeministri Rama: Mirëse keni ardhur të gjithë! Nuk dëshiroj që t’ju marr kohën e nevojshme për të shqyrtuar këtë projekt strategjik kaq të rëndësishëm për vendin, por ne besojmë edhe për rajonin e Europës Juglindore.

Dua t’ju falenderoj sinqerisht për ardhjen deri këtu, për këtë prezantim ballafaques të natyrës tekniko-financiare, çka në këndvështrimin tim, tregon, jo vetëm interes, por edhe besim dhe dua t’ju siguroj që ne jemi shumë të vetëdijshëm qoftë për paragjykimet me të cilat duhet të përballemi, kur është fjala për të hapur ekonominë tonë dhe për të hapur dyert dhe dritaret në mënyrë që të gjithë ata që duan të përfshihen në zhvillimet tona ekonomike t’i gëzojnë këto mundësi, ashtu sikundër dua po ashtu t’ju siguroj se në provën e fakteve të gjithë ju do të mund ta shikoni në vetë të parë pse unë ato i quaj paragjykime dhe jo perceptime të bazuara në realitetin e përpjekjes sonë për të pasur procese transparente, për të pasur procese me integritet dhe për të pasur procese që në fund shpërblejnë pikërisht ato shtylla që i kanë bërë kompanitë tuaja të jenë kompani me kaq shumë zë, që janë nga njëra anë konkurrenca e lirë dhe nga ana tjetër merita mbi bazën e konkurrencës. 

Natyrisht që për ne si vend, i gjithi ky është një proces i shtrirë në kohë. Ne vijmë nga një e shkuar që nuk ka qenë aspak bujare me ne dhe 3 dekada të rrugëtimit tonë në përpjekje për të ndërtuar një Shqipëri moderne, funksionale e demokratike dhe një ekonomi të hapur dhe konkurruese për të gjithë, mund të konsiderohen shumë, por mund të konsiderohen dhe shumë pak si rezultat i matjes së nivelit të eksperiencës. Pikërisht për këtë arsye, duke qenë të vetëdijshëm që eksperienca kaq shumë e nevojshme nuk është në anën tonë, ne gjithmonë e më shumë i jemi referuar ekselencave ndërkombëtare dhe në këtë rast, një ekselencë ndërkombëtare të padyshimtë, me një reputacion të padiskutueshëm në nivel botëror, sicc është kompania Royal Haskoning, e cila po punon intensivisht me një seriozitet, me një korrektesë, me një kapacitet teknik dhe talent për t’u admiruar dhe ne jemi shumë mirënjohës për këtë. 

Natyrisht, që të jemi të qartë, nuk po punojnë falas. Ashtu sikundër, ju e dini që holandezët janë sa të zotë aq dhe të shtrenjtë dhe nuk ka të dytë për aftësinë e tyre për të qenë tregtarë fitues, por hiri i të vërtetës e do që të thuhet që në fund të ditës e meritojnë atë  që marrin. Kështu që, nuk kemi asnjë regret që po i paguajmë këta jo dhe aq lirë.  Besoj që kompania është një nga arsyet, në mos kryesorja, dhe shpresoj që të jetë një nga arsyet dhe jo kryesorja që ju keni ardhur këtu me besim dhe unë dua t’iu siguroj që ne jemi shumë të nderuar që ju kemi juve këtu. Unë e kam këtu përpara listën e kompanive të cilat, siç e tha Zv/kryeministrja, kanë një shtrirje gjeografike goxha mbresëlënëse dhe 30 kompani të kësaj fushe, të gjitha të mbledhura këtu për të parë nga afër dhe për të bërë pyetjet e nevojshme të natyrës teknike dhe financiare një projekt si ky i yni, thjesht na mbushin me optimizëm dhe me kënaqësi.

Të jeni të bindur që, edhe pse në fund vetëm një kompani do të fitojë, kjo do të ndodhë si rezultat i një procesi, i cili juve do t’iu bëjë të riktheheni në Shqipëri me shumë më tepër siguri sesa keni ardhur herën e parë dhe me shumë më tepër respekt sepse ne jemi të vetëdijshëm që për ta bërë Shqipërinë vendin që meritojnë fëmijët tanë, kemi nevojë për partnerë të duhur, për partnerë me eksperiencë, për partnerë që në vendet e tyre kanë treguar se çfarë janë të zotë të bëjnë dhe ju jeni të gjithë të tillë.  Po e mbyll me kaq dhe po ju siguroj që edhe pse ju keni parë plot prezantime, keni parë plot konsulentë, keni parë plot inxhinierë, keni parë plot ustallarë, do keni mundësinë të ndiqni një prezantim dhe të përjetoni një eksperiencë unikale.  Unë kur e kam ndjekur për herë të parë prezantimin, shpresoj që edhe të kenë përmirësuar ndonjë gjë rrugës, realisht jam impresionuar sepse më është dukur sikur po prezantonte një studio një atelie e Rilindjes në Firenze. Janë vërtetë ustallarë të një niveli mahnitës. Me këto fjalë që nuk do ulin asnjë qindarkë çmimin e projektit, jam i sigurt sepse këta kënaqen me fjalët e mira, por në fund tek fatura nuk bëjnë asnjë skonto fare, fare; vetëm se hakun nuk ta hanë asnjëherë, kjo nuk diskutohet”- tha Rama.

Zv.kryeministrja dhe ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku u shpreh se porti i ri tregtar do të përmbushë nevojat e vendit në të ardhmen

Në detajet e prezantuara u bë me dije se investimi do të behet në formën e një PPP-je, e cila do të zgjasë 15 vjet, ku përfshihet ndërtimi, financimi dhe mirëmbajtja. Vlera totale e investimit arrin në 390 milionë euro bashkë me interesat tregtare dhe TVSH-në. Qeveria parashikon që në fund të dhjetorit të finalizojë kontratën për të vijuar më pas me ndërtimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA