Policia qëllon për vdekje të gjymtuarin pa këmbë, kur tentoi të largohej nga karrigia me rrota në Kaliforni (fotot)

01/02/2023 16:20

Në një tjetër episod ekstrem të dhunës së policisë në SHBA, sot raportohej se një grup oficerësh policie në Kaliforni kishin qëlluar për vdekje një burrë me dy këmbët e gjymtuara, teksa përpiqej të largohej prej tyre duke ecur mbi gjymtyrët e prerë, pasi la karrigen me rrota.

Tre policët e Huntington u filmuan duke qëlluar të paktën tetë herë ndaj Anthony Lowe Jr., 36-vjeçar baba i dy fëmijëve i cili vdiq në vend.

Familjarët thanë se ai kishte humbur dy gjysmat e këmbëve në një përleshje me policinë në  Texas.

Policia tha se Lowe Jr. sapo kishte qëlluar dikë me thikë dhe po përpiqej t’i shpëtonte oficerëve. Fillimisht ata ishin përpjekur ta godisnin me pistoletë elektrike duke e ndjekur teksa largohej në trotuar me cungjet e tij.

Një makinë e dytë policie erdhi në vendngjarje nga e cila doli një polic i tretë që qëlloi disa herë Lowe në trup.

Burri me paaftësi vdiq në vendngjarje dhe familjarët kërkojnë tashmë përgjigje nga departamenti i policisë.

Autoritetet thanë se policët e përfshirë ishin lana pushim për disa ditë deri në hetimin e ngjarjes.

“Ata vranë djalin tim në karrike me rrota dhe pa këmbë, përse duhet të bëjnë ata gjëra të tilla?”, tha nëna e viktimës Dorothy Lowe.

Zhvillimi vjen dy javë pas ngjarjes së rëndë të rrahjes për vdekje të 29-vjeçarit të paarmatosur Tyre Nichols nga një grup prej të paktën pesë policësh në Memphis, Tennessee.

FOTO GALERI
1/7
Një grup oficerësh policie në Kaliforni kishin qëlluar për vdekje një burrë me dy këmbët e gjymtuara

Top Channel