Tani le të shohim shkurtimisht se cilat janë hot-spotet ose pikat e nxehta të liqenit në anën Shqiptare dhe atë të Maqedonisë së Veriut.
Edhe pse është vënë në punë impianti i ujërave të zeza që derdhen në liqen përsëri ka probleme. Që ky impiant të jetë sa më efikas duhet që të vijohet me fazën e tretë të investimit.
Nga Lini deri në Pogradec nuk ka impiant të përpunimit të ujërave të zeza. Ndërkohë që në në këtë segment rruge përgjatë liqenit janë të pozicionuara edhe dy nga dampat më kryesore që shkaktojnë ndotje në ujin e liqenit me mbetjet e metaleve të rënda.
“Problem është që ne kemi ende dy zona që nuk mbulohen sa i përket trajtimit të ujërave të zeza që ka të bëjmë me lumin e Cëravës dhe që përmbledh disa fshatra si dhe pjesën nga Pogradeci deri në Lin. Ka disa projekte të qeverisë shqiptare sa i përket ngritjes së një impianti trajtimi të ujërave të zeza në fastin Hudunisht, shpresoj që të realizohet sa më shpejtë”, u shpreh Arian Meroli, ekspert mjedis.
Problem me ndotjen nga ujërat e zeza ka edhe Maqedonia e Veriut. Problemi i parë është me fshatrat që nuk kanë fare një impiant përpunimi. Por edhe ato vend banime që e kanë një të tillë është shumë i vjetruar dhe herë pas herë shkarkon ujëra të zeza të papërpunuara në liqen.
“Si rezultat i problematikave të ndryshme dhe fenomeneve shoqërore deri edhe te tërmete ka ndodhur që një pjesë e atyre tubacioneve që mbledhin ujërat e zeza të kenë pësuar çarje, dëmtime duke bërë që një pjesë e këtyre ujërave të rrjedhin nën tokë duke sjellë ndotjen si dhe probleme të tjera të impiantit deri në Vranisht”, u shpreh Trajce Talevski, ekspert mjedisi-Maqedonia e Veriut.
Lumenjtë që sjellin mbetje nga më të ndryshmet dhe derdhen në liqen janë një tjetër problem që kërkon ndërhyrje.
“Në një investigim të bërë rezulton që janë disa hot-spote në zonën litorale ose breg-liqenore të pjesës Maqedonase që janë me të vërtetë pika të nxehta sa i përket ndotjes duke filluar nga lumi Cëravës që derdhet në pjesën maqedonase në zonën e Lubanishtit, lumin Sateska që po ashtu për shkak të ndryshimit të shtratit derdhet në liqenin e Ohrit dhe pjesë të ndryshme që nga sistemi kolektorit janë bërë bajpase që në vend që të kalonin vetëm në impiantin e ujërave të zeza derdhen direkt në liqenin e Ohrit”, u shpreh Trajce Talevski, ekspert mjedisi-Maqedonia e Veriut.
Ekspertët vlerësojnë se uji që derdhet në liqen nga lumenjtë sjell me vete edhe mbetje të shumta pesticidesh të rrezikshme. Këto lëndë sjellin problem mjaft të rënda për mbijetesën e specieve të rralla të liqenit.
“Ka dhe dy lumenj të tjerë që po ashtu janë ndotës potencial që janë lumi i Grashnicës dhe lumi i Djlanit të cilët mbartin në vetvete jo vetëm ujërat e zeza që nuk trajtohen por edhe mbetjet e pesticideve ose herbicideve që përdorin banorët lokalë në zonat e tyre të mbjella”, u shpreh Trajce Talevski, ekspert mjedisi- Maqedonia e Veriut.
Top Channel