Ministria e Brendshme e Azerbajxhanit ka arrestuar afër 40 persona, nën dyshimet se janë pjesë e një rrjeti të spiunazhit iranian dhe kanë përdorur fenë për të shtyrë përpara propagandën pro-Iranit.
Mediat lokale raportuan më 1 shkurt se të dyshuarit u arrestuan në Baku dhe në rajone të tjera të shtetit në një operacion të kryer nga Ministria e Punëve të Brendshme. Disa raportime të një dite më parë, thoshin se shtatë persona ishin arrestuar.
Institucionet e zbatimit të ligjit as nuk kanë mohuar e as konfirmuar këto raportime.
Ligjvënësi Elman Mammadov, anëtar i Komitetit për Mbrojtje, Siguri dhe Anti-Korrupsion, e akuzoi Iranin se për vite të tëra ka qenë “mjaft aktiv” në mbrojtjen e liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.
“Nuk mund të them nëse ky është rrjet apo jo, por ka njerëz të tillë. Edhe në disa media dhe rrjete sociale ka njerëz të tillë që kohë pas kohe flasin në favor të Iranit dhe kundër nesh”, tha ai.
Teherani nuk ka reaguar për këto raportime.
Azer Gasimly, drejtor i Institutit për Menaxhim Politik në Baku, tha se përderisa spiunët iranianë ka shumë të ngjarë që të veprojnë në shtet, Rusia ka një rrjet të fshehtë më të madh në Azerbajxhan.
Megjithatë, ai tha se autoritetet azerbajxhanase kanë qenë të kujdesshme pasi “Irani si shtet ka përdorur terrorizimin në shtete të ndryshme dhe karakterizohet me veprime shumë agresive”.
Raportet midis Iranit dhe Azerbajxhanit dukeshin relativisht të qeta deri para pak ditësh.
Bakuja urdhëroi evakuimin e stafit dhe anëtarëve të familjes së tyre nga ambasada në Teheran më 29 janar, dy ditë pasi një sulmues qëlloi për vdekje një roje sigurie dhe plagosi dy persona të tjerë në ambasadë. Azerbajxhani tha se ky ishte një “akt terrorizmi”.
Policia arrestoi një të dyshuar dhe autoritetet iraniane dënuan këtë sulm. Ata thanë se i dyshuari duket se kishte motive personale, dhe jo politike, që e nxitën të kryenin këtë sulm.
Top Channel