Thirrjet për reformë policore janë shtuar në Shtetet e Bashkuara pasi pesë oficerë policie në qytetin Memfis, të shtetit Tenesi u kapën në video duke rrahur një person që vdiq më pas.
Por siç shpjegon korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias, mes ligjvënësve amerikanë dhe aktivistëve nuk ka ende një konsensus se si të parandalohet dhuna.
Pas vdekjes së 29-vjeçarit Tyre Nichols në Memfis, aktivistët dhe ligjvënësit amerikanë po përpiqen të kuptojnë atë që ndodhi dhe çfarë duhet bërë më tej.
Në një emision të kanalit ABC, avokati i familjes, Ben Crump, theksoi nevojën për të luftuar atë që ai e quajti një paragjykim të nënkuptuar në kulturën policore në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk ka rëndësi nëse oficerët janë afro-amerikanë, hispanikë apo të bardhë. /Besoj se është pjesë e kulturës së institucionalizuar të policisë që e bën disi të lejuar që ata të përdorin këtë lloj force dhe brutaliteti të tepruar ndaj njerëzve me ngjyrë”.
Duke vlerësuar masat konkrete për të parandaluar brutalitetin e policisë, senatori demokrat Dick Durbin theksoi nevojën e një diskutimi mbarëkombëtar.
“Ndalimi i mënyrave të dhunshme, kontrolleve pa leje, çështja e akreditimit në departamentet e policisë: këto janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme”.
Ndërsa theksoi se jo të gjithë oficerët e policisë duhet të fajësohen, ligjvënësi republikan Jim Jordan ndau pikëpamjet e tij duke bërë thirrje për reformë policore në nivel federal.
“Nuk e di çfarë trajnimi duhet të bëjnë, pasi nuk i zunë frymën. Ata vetëm e rrahën pa pushim z. Nichols, kështu që nuk e di cila është përgjigja”.
Derrick Johnson, presidenti i organizatës më të vjetër dhe më të madhe për të drejtat civile në vend, NAACP, propozoi gjetjen e qasjeve të ndryshme dhe gjithëpërfshirëse për të zgjidhur problemin.
“Agjencitë duhet të trajnohen rreth uljes së përshkallëzimit, por gjithashtu duhet të rrisim fondet për mbështetjen e shëndetit mendor”.
Ai shtoi se të krijimi i një baze të dhënash federale ku regjistrohen shkeljet e policisë gjithashtu mund të frenojë shmangien e përgjegjësisë, duke sjellë kështu ndryshim tek oficerët.
Top Channel