Kryeministri Edi Rama dha një përgjigje të prerë të gjithë atyre të cilët e akuzojnë se kreu qeverisë shqipatre është nën hetim në SHBA pas ngritjes të akuzave ndaj ish drejtorit të kundrazbulimit të FBI-s.
“E kam takuar ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal por s’ka asnjë lidhje me hetimin e SHBA-së!”- tha Rama.
Sipas tij, opozita po e përdor për interesa të saj. Kryeministri i pyetur për hetimet e zhvilluara në SHBA për këtë çështje deklaroi:
“Absolutisht asnjë konkluzion. Përmëndjet lexojini mirë sepse aty nuk përmendet absolutisht një gjë e tillë, aty thuhet se çfarë thotë njeri dhe çfarë thotë tjetri. Ndërkohë që vetë hetuesit thonë një gjë tjetër, që hetimet kanë përfunduar, ka një të akuzuar për mosdeklarim dhe konflikt interesi në raport me mikun e tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, të cilin unë e kam takuar në takimin me të dhe me të cilin nuk kam pasur asnjë lloj lidhje tjetër përveç këtij raporti miqësor dhe këtyre shkëmbimeve krejtësisht pa asnjë interes tjetër me zyrtarin e lartë të FBI-s.”
Kryeministri dha këtë shpjegim për njohjet me dy shqiptarët Agron Neza dhe Dorian Ducka të cilët kanë lidhje me zyrtarin e FBI nën akuzë.
“Fola për zotin Agron, i cili e përsëris vjen nga Lëvizja Demokratike, shumë i afërt i të ndjerit Azem Hajdari, fis me Besnik Mustafajn, njerëz të nderuar pa diskutim, të cilin nuk e kam njohur më parë asnjëherë dhe me të cilin nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e zyrtarit të lartë të FBI-së. Për sa i përket personit tjetër ka qenë zv.ministër i Energjetikës në koalicionin e vitit 2013 dhe pastaj për një farë kohe ka punuar pranë meje pa pagesë.”- tha Rama
Një ditë më parë u bë e ditur se në New York është arrestuar ish-shefi i kundërzbulimit të FBI me akuza të rënda se ka mbështetur një oligark rus të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe se ka marrë ryshfet nga një ish-agjent i shërbimit sekret shqiptar. Charles McGonigal ka punuar për sektorin e kundërzbulimit të FBI-së, derisa u largua nga FBI-ja në shtator të vitit 2018 dhe ndër të tjera mbulonte edhe Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën.
Ai akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.
Top Channel