NATO: Aleatët do të gjejnë së shpejti zgjidhje për të dërguar tanke në Ukrainë

24/01/2023 14:36

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg është i bindur se Aleanca do të gjejë një zgjidhje të shpejtë për dërgimin e tankeve luftarake në Ukrainë.

“Në këtë moment kyç të luftës, ne duhet të ofrojmë sisteme më të rënda dhe më të avancuara në Ukrainë, dhe ne duhet ta bëjmë një gjë të tillë më shpejt”, u tha Stoltenberg gazetarëve, duke qëndruar përkrah ministrit gjerman të Mbrojtjes Boris Pistorius, më 24 janar.

Presioni është rritur mbi qeverinë e kancelarit gjerman Olaf Scholz për të dërguar tanket Leopard në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Sipas rregullave të prokurimit ushtarak, Gjermania duhet të autorizojë çdo rieksportim të këtyre tankeve.

“Prandaj mirëpres diskutimin tonë sot. Ne diskutuam çështjen e tankeve luftarake. Konsultimet midis aleatëve do të vazhdojnë dhe jam i bindur se do të kemi një zgjidhje së shpejti”, shtoi Stoltenberg.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se nuk ka përçarje midis aleatëve për dërgimin e tankeve të rënda luftarake në Ukrainë, por tha se kancelari Olaf Scholz po përpiqej të krijonte konsensus për këtë çështje.

Pistorius shtoi se NATO nuk duhet të bëhet palë në luftën në Ukrainë.

Ai gjithashtu tha se Gjermania nuk po pengon vendet e tjera të trajnojnë trupat ukrainase për të përdorur tanket Leopard.

Polonia dhe disa vende të tjera anëtare të NATO-s kanë thënë se duan ta furnizojnë Ukrainën me tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman, për t’u mbrojtur kundër Rusisë.

Tanket Leopard, të cilat përdoren nga disa vende të NATO-s dhe kërkojnë miratimin e Berlinit për rieksportim, ekspertët e mbrojtjes i shohin si më të përshtatshmet për Ukrainën.

Polonia do t’i kërkojë leje Gjermanisë për të rieksportuar tanke Leopard 2 në Ukrainë, por edhe pa të, Varshava mund t’i dërgojë ato, si pjesë e një koalicioni shtetesh, tha të hënën kryeministri polak, Mateusz Morawiecki.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha të dielën se Qeveria e saj nuk do ta bllokojë Poloninë nëse do t’i dërgojë tanke Leopard 2 Ukrainës./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA