Suxho, me origjinë nga Korça, ka prekur majat e volejbollit botëror, nga Kampionatet Botërore e deri te Lojërat Olimpike, në të cilat ishte edhe kapiten i SHBA-ve.
Ylli i kombëtares amerikane të volejbollit, i cili ka origjinë shqiptare, Donald Suxho, u prit sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai e vlerësoi ish-kapitenin e skuadrës së SHBA-së në volejboll, i cili ka prekur majat e volejbollit, nga kampionatet botërore e deri te Lojërat Olimpike, dhe i dhuroi Medaljen e Mirënjohjes së Qytetit.
“Ti je gjysmë çun Tirone, edhe pse prej babait je me rrënjë në Korçë, prandaj të konsideroj si vlerësim të qytetit tonë, një djalë i cili ia ka dalë vetë, që është përballur me sfida dhe sakrifica të jashtëzakonshme për të qenë kampion olimpik edhe në 2004, në 2008 e 2012, dhe për të treguar që nuk është punë geni. Shprehja “Ne shqiptarët s’bëhemi” nuk funksionon më! Ne shqiptarët bëhemi! Pse u bëre ti? Ke gen edhe nga Korça, edhe nga Tirana. Kjo do të thotë kush punon bëhet, kush sakrifikon bëhet, kush derdh djersë dhe harxhon orë në atë që beson, mund të bëhet”, tha Veliaj.
Ai theksoi se këtë vit ku Tirana është dhe Qyteti Europian i Sportit, masivizimi i sportit është një mundësi e mirë për të rinjtë që merren me sport dhe për të ardhmen e sportit në vendin tonë. “Unë besoj se Tirana 2023, si Viti i Sportit, është një ogur i mirë për përgatitjet e Lojërave Olimpike 2024 në Paris. Në Tiranë kemi hapur të gjitha palestrat për kurse pas mësimit, kemi mijëra fëmijë që janë përfshirë, por duam të përfshijmë më shume, dhe Viti i Sportit është një vit ku ne reflektojmë e nderojmë personalitete si ty, por është edhe një vit ku ne duam që, personalitete si ty dhe shumë lojtarë të tjerë shqiptarë këtu dhe në botë, të inkurajojnë fëmijët që të ndjekin këto gjurmë. Ndoshta, jo të gjithë do të bëhen si Donaldi, ndoshta jo të gjithë do kenë mundësi që të jenë në ekipet olimpike më të mira të botës, por unë besoj se një lojtar olimpik nuk është vetëm ai që është në një ekip elitar, por është edhe një qytetar i mirë”, tha kreu i Bashkisë.
Kampioni Olimpik Donald Suxho, i cili aktualisht është trajner i ekipit kombëtar të volejbollit të Kosovës, tha se ndihej vërtet i vlerësuar dhe i lumtur që tashmë kontribuon për sportistët shqiptarë. “Është nder i madh. Kemi ikur të vegjël, por sporti na ka mbajtur gjithmonë. Mbaj mend atëherë, në Shqipëri ishin kohë shumë të vështira. Sporti na ka mësuar edhe shumë mësime të jetës. Sporti na ka sjellë prapë këtu në Tiranë. Sporti është një gjë fantastike. Është një nder i madh për mua të kthehem në Shqipëri dhe Kosovë dhe të jap eksperiencën time edhe për fëmijët dhe të rinjtë“, u shpreh ai.
Veliaj nga ana e tij tha se Bashkia e Tiranës do të ishte e gatshme të mbështesë edhe me bursa sportistë të rinj, të cilët duan të marrin eksperiencën më të mirë nga skuadra të suksesshme të volejbollit botëror.
Top Channel