Në konferencën përgatitore në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që akuzohen për krime lufte, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka deklaruar se do t’u duhen më shumë se 700 orë për ta paraqitur çështjen e tyre.
Gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të fillojë më 1 mars të këtij viti. Në konferencën përgatitore të mbajtur në Dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë, trupi gjykues përmes një urdhri gojor ka bërë të ditur.
“Urdhri gojor i shtatë ka të bëjë me datën për konferencën përgatitore për prokurorinë e specializuar dhe fillimin e gjykimit. Trupi gjykues cakton datën 1 mars për fillim të gjyqit nëse nuk ka rrethana përjashtimore. Konferenca përgatitore e prokurorisë së specializuar do të mbahet më 17 shkurtit 2023.”– tha Charles L Smith.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Top Channel