“S’ka më punë të mira”/ OKB: Ngadalësimi ekonomik global, sjell “punë të këqija”!

16/01/2023 12:50

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron një periudhë të zymtë përpara në tregun e punës.

Ngadalësimi ekonomik global, sipas ekspertëve të saj, do t’i detyrojë më shumë punëtorët këtë vit që të pranojnë punë për të cilat paguhen më pak.

Gjithmonë e më shumë njerëz po shkojnë drejt varfërisë me krizën e kostos së jetesës e çmimet që rriten më shumë sesa të ardhurat, thuhet në raportin e Agjensisë Ndërkombëtare të OKB-së për Punën. Aty theksohet po ashtu se niveli i papunësisë në botë pritet të rritet.

Siç është dëgjuar rëndom së fundi, si shkaqe kryesore për këtë situatë konsiderohen lufta e Rusisë në Ukrainë, tensionet gjeopolitike dhe vështirësitë që krijoi pandemia e koronavirusit.

“Së bashku, ato kanë krijuar kushte për inflacion të lartë dhe rritje të ulët ekonomike – për herë të parë prej vitit 1970”, nënvizohet në raport.

Vendet më të prekura, sipas të dhënave, janë ato me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Evropa përfundoi një vit të vështirë me një farë lehtësimi të nivelit të inflacionit. Por ndërsa kostoja e jetesës mbetet ende jashtëzakonisht e lartë, ngadalësimi është një tregues se më e keqja mund të ketë kaluar për konsumatorët e lodhur.

Muajin e kaluar, Banka Qendrore Evropiane ngriti normën e saj bazë me gjysmë pike, duke ngadalësuar ritmin e saj rekord të rritjes së normave të interesit. Kjo praktikë përputhet me veprimet e ndërmarra nga homologët në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe gjetkë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA