Pasditja e ditës së nesërme do të sjellë një përkeqësim të motit, i cili do të jetë me intensitet të lartë reshjesh.

Sipas IGJEO dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, duke filluar prej orëve të së martës reshjet intensive pritet të shtrihen në të gjithë territorin.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Këto fenomene pritet të shoqërohen me shtrëngata në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në zonën e Alpeve parashikohen reshje tepër të dendura dëbore në formën e stuhive të dëborës. Ndërsa në zonat malore në lartësinë mbi 800-900 metra reshje dëbore me intensitet të ulët.

Ndaj, bazuar në këto parashikimi, Agjencia e Mbrojtjes Civile në Ministrinë e Mbrojtjes kërkon nga autoritetet vendore rritjen e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile që kanë në administrim: hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër që është në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.

Ministria e Mbrojtjes njofton se Agjencia e Mbrojtjes Civile do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me prefektura dhe bashkitë, sipas përcaktimit të shkallës së rrezikut, të cilat duhet të informojnë në kohë pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile për çdo situatë të krijuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA