I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, pritet që më 20 janar të vizitojë Kosovën, e më pas edhe Serbinë, për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.
I dërguari i Bashkimit Evropian do të jetë i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar-i, sipas REL.
Në Bruksel, disa herë kanë thënë se angazhimi i përbashkët BE-SHBA ka rezultuar i dobishëm për të bindur palët që të ulin tensionet.
Escobar dhe Lajçak më 9 janar janë takuar me ambasadorët e shteteve të NATO-s me të cilët kanë biseduar për situatën në Kosovë dhe rajon dhe kanë paraqitur para tyre edhe planet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Burimet diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar se Kosovën dhe Serbinë së shpejti do ta vizitojë edhe i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, dhe ai i Gjermanisë, Jens Plotner.
Megjithatë, sipas rel tashmë është arritur një pajtim i gjerë për të mbështetur propozimin franko- gjerman për një marrëveshje bazë mes Kosovës dhe Serbisë. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se ky propozim është “propozim evropian” dhe ka mbështetjen e të gjitha shteteve të BE-së.
Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve që Escobar dhe Lajçak do të kenë në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.
Top Channel