6 tentativa të dështuara për të emigruar në Britani të Madhe nuk kanë mjaftuar që ta zbrapsin një 28-vjecar nga Kukësi, të identifikuar nga REL vetëm me inicialet V.H. – që ta provojë sërish.
I riu rrëfen se po përpiqet të mbajë gjallë biznesin e tij të vogël në Kukës, të cilin e hapi pasi nuk kishte alternativë tjetër për të mbijetuar.
Ky, megjithatë, i duket një mision i vështirë, pasi gjendja ekonomike në Shqipëri është rënduar, thuhet në artikull, ku citohen dhe të dhënat e Institutit të Statistikave që e rendisin Kukësin si qarkun më të varfër në Shqipëri.
V.H. thotë se fitimet nga biznesi i tij janë të pamjaftueshme. Ai ka provuar disa herë të largohet ilegalisht nga Shqipëria me gomone, përmes Kanalit të La Manshit apo Kanalit Anglez, drejt Britanisë.
Dhe, pavarësisht tmerrit që thotë se ka kaluar, sërish do të ishte i gatshëm ta bënte rrugën e njëjtë, në të njëjtën formë. Rrugëtimi i tij për kërkimin e një jete më të mirë nisi tetë vjet më parë, fillimisht në Gjermani.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se për shkak të njohurive që kishte në gastronomi dhe falë ndihmës së bashkatdhetarëve të tij, nuk e pati të vështirë të gjente punë. Por, gjithçka ndryshoi me shpërthimin e pandemisë COVID-19, në vitin 2020, kur u detyrua të kthehej në Shqipëri.
Sapo u liruan masat kundër pandemisë, emigroi sërish pasi siç thotë, e kishte të pamundur ta mbante familjen me një pagë shteti prej 36 mijë lekësh apo rreth 310 euro. Atëherë ishte nisur drejt Francës me qëllimin të kalonte në Britani, ku kishte dëgjuar nga miqtë se është më e lehtë të gjesh një punë dhe paguhet më mirë.
Top Channel