Avokatët e Presidentit Joe Biden gjetën dokumenta të tjera të klasifikuara përveç atyre që ishin njoftuar më parë, në shtëpinë e tij në Uilmington, Delauer, konfirmoi të shtunën Shtëpia e Bardhë.

Këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë, Richard Sauber thotë në një deklaratë se gjashtë faqe dokumenta të klasifikuara u gjetën gjatë kërkimeve në bibliotekën private të Presidentit Biden. Fillimisht, Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar se ishte gjetur vetëm një faqe brenda shtëpisë.

Njoftimi më i fundit pason gjetjen e dokumentave në muajin dhjetor në garazhin e zotit Biden në Uilmington dhe në nëntor në ish-zyrën e tij në Qendrën Penn Biden në Uashington, nga periudha kur ai ishte nënpresident.

Trajtimi i dokumentave të klasifikuara dhe të dhënave zyrtare nga administrata Obama është duke u hetuar nga prokurori Robert Hur, i cili u caktua si prokuror i posaçëm të enjten nga Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland.

Të enjten, e pyetur nëse Presidenti Biden mundet të garantojë se nuk do të rezultonin dokumenta të tjera të klasifikuara gjatë kërkimeve të mëtejshme, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve se “duhet të arrini në përfundimin se është përmbyllur, po”.

Departamenti i Drejtësisë historikisht ndjek kritere të larta ligjore përpara se të ngrejë akuza penale për rastet e trajtimit të informacionit të klasifikuar, me parakushtin që personi duhet të ketë patur synimin që të shkelë ligjin dhe jo që të ketë vepruar thjesht me pakujdesi apo neglizhencë. Legjislacioni kryesor për marrjen e paligjshme dhe rikthimin e dokumentave të klasifikuara e konsideron vepër penale marrjen me vetëdije të dokumentave të klasifikuara dhe mbajtjen e tyre në kushte të paautorizuara.

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA