Banorët e Bërxullës dolën sërish këtë të dielë në protestë kundër Ministres se Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe firmës Gener 2 që po i shpronësojnë pa të drejtë, sipas tyre për projektin e rrugës Thumanë-Kashar.
Banorët e kanë çuar protestën e tyre përtej fshatit, tashmë duke kërkuar drejtësi në dyert e institucioneve, ndërsa sot e përshkallëzuan atë deri në kërcënime për vetësakrifikim.
Dy prej banorëve ndodhen sipër shtyllës së tensionit dhe kërcënojnë se do të hidhen. Ata kërkojnë që përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës të mbërrijnë dhe të takohen me ta.
Zonja e cila ndodhet sipër në shtyllë vuan nga tensioni dhe rritet rreziku që ajo të bjerë nga lartësia e madhe, ndërsa banorët i bëjnë thirrje që të zbresë.
“Nuk ulem!“, dëgjohet të thotë ajo.
Mësohet se personi tjetër në shtyllë që kërcënon se do të hidhet nëse policia afrohet është nipi i gruas që ndodhet në lartësi.
Forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje, por pas kërcënimeve të dy protestuesve se nëse nuk largohen do ngjiten më lart, ata janë distancuar.
“Ju lutem hajdeni të negociojmë, heshtja dhe neglizhenca e këtij shteti”, tha njëri prej banorëve.
“Ku do të shkojë ajo, ku është ministria, ku është qeveria, ne s’do ta lejojmë, ta harrojmë, ta harrojë Gener 2 të futet këtu”, tha një tjetër banore.
“Kërkojmë shtetin sot këtu, ky njeri është i shëndetshëm mendërisht, pse duhet ta bëjë këtë?”, tha një tjetër protestuese për gruan që kërcënon se do të hidhet.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga institucionet.
Heshtjes dhe indiferencës së institucioneve shtetërore në lidhje me punimet e paligjshme që po kryen firma Gener 2, ku preken 30 hektarë tokë dhe shemben 20 banesa, banorët i janë përgjigjur me protesta prej javësh tashmë.
Banorët theksojnë se nuk do t’i lejojnë punimet në tokat e tyre pa u kompensuar me çmimin e tregut, ndërsa paralajmëruan më parë se do të ndërmerrnin akte ekstreme.
Top Channel