Dhjetë vjet dëshmi të dhimbshme dhe kohë shumë e gjatë e kaluar nga gjykata në gjykatë, duket se nuk shkuan dëm për klienten e Nexhlla Shehiçit, avokate e një viktime të dhunës seksuale gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Zonja A, pseudonim i vënë nga Ministria e Shtetit për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatët, mund të jetë viktima e parë e dhunës seksuale gjatë luftës, së cilës shteti i Bosnjës do t’i paguajë dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh.
Pagesa u urdhërua nga Komiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Kundër Torturës në vitin 2019, pasi Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës vendosi në vitin 2015 që autori i përdhunimit, Slavko Saviç, pjesëtar i Ushtrisë së Republikës Sërpska, duhet t’i paguajë viktimës 15 mijë e 340 euro brenda 90 ditësh.
Duke qenë se Saviç nuk kishte pasuri për ta paguar dëmshpërblimin, viktima e përdhunimit, Zonja A, u ankua në Komitetin e OKB-së kundër Torturës. Rasti në OKB u iniciua në vitin 2017 dhe vendimi përfundimtar u mor dy vjet më vonë.
Për këtë krim të kryer në vitin 1993 në komunën Vogoshça të Sarajevës, Saviç u dënua me tetë vjet burgim.
“Bosnjë e Hercegovina është e detyruar që, përveç dëmshpërblimit material, zyrtarisht t’i kërkojë falje viktimës së përdhunimit gjatë luftës, si shtet. Gjithashtu, detyrohet t’i ofrojë ndihmë shëndetësore dhe psikologjike me qëllim zbatimin e Konventës së OKB-së kundër Torturës”, thotë avokatja Shehiç.
Ministria e të Drejtave të Njeriut i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi për dëmshpërblimin monetar mund të miratohet nga Këshilli i Ministrave që në mbledhjen e ardhshme. Mirëpo, Ministria në fjalë, e as Këshilli i Ministrave, nuk iu përgjigjën pyetjes se kur do të zbatohen masat tjera (ndihma psikologjike dhe shëndetësore) të përmendura në Vendimin e Komitetit të OKB-së në rastin e Zonjës A.
Sipas Amnesty International, më shumë se 20.000 viktima të mbijetuara të përdhunimeve gjatë luftës jetojnë në Bosnje e Hercegovinë. Vendi nuk ka një ligj specifik shtetëror për t’i mbështetur viktimat e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale.
Në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës, viktimat e përdhunimit të luftës mbulohen nga Ligji për bazat e mbrojtjes sociale, mbrojtjen e viktimave civile të luftës dhe mbrojtjen e familjeve me fëmijë.
Në entitetin tjetër të Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika Sërpska, që nga viti 2018 është në fuqi Ligji për mbrojtjen e viktimave të torturës së luftës.
Në Distriktin Bërçko, si njësi e veçantë administrative në Bosnje dhe Hercegovinë, ekziston Vendimi për mbrojtjen e viktimave civile të luftës.
Viktima A ishte 32 vjeçe kur Slavko Saviç e përdhunoi.
Në vendimin e Komitetit të OKB-së thuhet se Zonja A ka mbetur shtatzënë pas përdhunimit dhe se është dashur ta ndërpresë shtatzëninë.
“Këto ngjarje e prekën rëndë, duke lënë pasoja të rënda psikologjike të qëndrueshme. Si pasojë e traumës, ajo filloi të ndiejë frikë, pagjumësi, mendime të detyruara, makthe dhe imazhe përdhunimi”, thuhet në pjesën e përshkrimit të traumës.
Aty shtohet se viktima ka pasur pasoja të përhershme, kështu që ka gjetur guximin vetëm në vitin 2014 për ta denoncuar krimin që kishte përjetuar në organet e drejtësisë.
Para gjykatave në Bosnje, viktima përfaqësohej nga Nexhlla Shehiç, dhe para Komitetit Ndërkombëtar Gjyqësor të OKB-së, një organizatë që merret me mbështetjen ligjore për viktimat e krimeve të luftës.
Avokatët theksojnë se ajo nuk dëshiron të flasë publikisht për përvojat dhe luftën e saj.
Gratë e dhunuara seksualisht gjatë luftës përballen me problemin e mbledhjes së dëmshpërblimeve për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës të vitit 2013, sipas të cilit ato mund ta padisnin shtetin për dëmin jomaterial (psikologjik apo emocional) të pësuar deri në vitin 1999, katër vjet pas përfundimit të luftës.
Zehra Murguz e paditi shtetin në procedurë civile, pasi përdhunuesi i saj, Ranko Stevanoviç, nuk është dënuar edhe me dëmshpërblim ndaj saj. Sipas saj, gjykatat në nivelin komunal dhe kantonal në Sarajevë e hodhën poshtë padinë për shkak të tejkalimeve kohore.
Në vitin 2012, Gjykata e Qarkut në Trebinje e shpalli Ranko Stevanoviçin fajtor për një krim lufte të kryer në vitin 1992 në Foçë dhe e dënoi me 14 vjet burgim.
Stevanoviç u shpall fajtor për vrasjen tre anëtarëve të një familjeje boshnjake në Krivajë (komuna e Foçës) më 15 gusht të vitit 1992, ndërsa para syve të familjes e përdhunoi Zehra Murguzin. Ajo arriti të arratisej.
Ajo tregon se kompensimi do të kishte shumë rëndësi për të dhe për të gjitha viktimat tjera, qoftë ai 15.000 apo 150.000 euro, sepse mbi të gjitha, kryesi i këtij krimi “do të merrte emër dhe mbiemër”.
Problemi me parashkrimin kohor është theksuar edhe në Vendimin e Komitetit të OKB-së. Një nga konkludimet thekson nevojën që Bosnjë e Hercegovina të miratojë një program efektiv kompensimi në nivel kombëtar me qëllim që të ofrohen të gjitha format e mbrojtjes ligjore për viktimat e krimeve të luftës, duke përfshirë dhunën seksuale.
Komiteti i OKB-së propozon, gjithashtu, miratimin e një ligji bazë, që përcakton kriteret për marrjen e statusit të viktimës civile të krimeve të luftës, përfshirë dhunën seksuale, dhe përcakton të drejta dhe përfitime të veçanta që do t’u garantohen viktimave në të gjithë vendin.
Avokatja Shehiç, megjithatë, thotë se nuk ka indikacione të qarta në vendimin e propozuar para Këshillit të Ministrave, se si çështja e Zonjës A do të ndikojë në rastet e tjera të dëmshpërblimit për dëmin jomaterial në rastet e përdhunimeve gjatë luftës.
“Gjëja kryesore do të ishte që shteti t’i ndryshojë ligjet në përgjigje të vendimit të Komitetit të OKB-së dhe të bëjë të mundur që gjykimet në çështjet penale të përcaktojnë mundësinë që shteti të paguajë dëmshpërblim, dhe më pas shteti t’i mbledhë fondet nga autori i dënuar”, thotë Shehiç.
“TRIAL International” në Bosnje është një organizatë joqeveritare që lufton mosndëshkimin për krimet e luftës dhe mbështet viktimat në kërkimin e tyre për drejtësi.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Adrijana Hanushiç Beqiroviç, nga kjo organizatë, thotë se deri tash janë kryer 19 aktgjykime në procedura penale në Bosnje e Hercegovinë, në të cilat është dhënë pagesa e kompensimit dhe se ata shpresojnë se vendimi i Komitetit të OKB-së do të ndikojë në vendimet tjera për viktimat që gjenden në një situatë të ngjashme.
“Nga 19 aktgjykime të marra në procedurë penale, një pjesë është ekzekutuar, një tjetër është në proces të ekzekutimit, kështu që mund të përfundojë pozitivisht”, thotë ajo.
Dy nga këto 19 raste janë të papërfunduara dhe kanë të bëjnë me një grua kroate, e cila ka qenë viktimë e dhunimit nga një ushtar i Republikës Sërpska, ndërsa në rastin tjetër një grua serbe, e cila ka qenë viktimë e Këshillit Kroat të Mbrojtjes, thotë Hanushiç Beqiroviç, duke shtuar se shpreson që edhe këto do të përmbyllen në një moment të caktuar, pa pasur nevojë t’i drejtohet Komitetit të OKB-së.
“Është një shumë e vogël, rreth 30.000 marka (rreth 15.000 euro). Kur e krahason me grante të tjera që jepen për individë, shoqata dhe stimuj të ndryshëm të paguar nga autoritetet shtetërore, sheh se nuk ka ndonjë shpenzim të madh për këto viktima”, thotë Hanushiç Beqiroviç.
Sipas të dhënave që kjo organizatë ka mbledhur nga institucionet zyrtare të Bosnjë e Hercegovinës, në periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2016, janë evidentuar 116 çështje penale të përfunduara ligjërisht, të cilat përfshinin pretendime për dhunë seksuale.
Ata theksojnë se institucionet gjyqësore në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk kanë të dhëna të përditësuara për vendimet në rastet e dhunës seksuale.
Pagesa e kompensimit, një hap i rëndësishëm për të pranuar se dhunimi seksual ka ndodhur
Pagesa e kompensimit për viktimat e përdhunimeve të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë është diçka që viktimat kanë luftuar dhe pritur për 30 vjet, thotë për Radion Evropa e Lirë, Jasna Zeçeviç, drejtoreshë e Qendrës së Rehabilitimit dhe Terapisë “Vive Zhene” (Rroftë gruaja) që operon në qytetin e Tuzlës.
Ajo thekson se ky është “një hap i rëndësishëm për pranimin se ka ndodhur dhunimi seksual gjatë luftës” dhe pa njohje, nuk mund të fillojë trajtimi adekuat psikologjik i personave që kanë përjetuar trauma gjatë luftës.
“Gjëja më e vështirë është që njerëzit që kanë përjetuar tmerre të tilla, fillimisht të flasin për këtë me rrethin dhe familjen e tyre dhe më pas t’i vërë re dikush. Stigma është ende e pranishme. Ende ndodh që vetë gratë kanë turp ta pranojnë. Atyre ende u thonë ‘a duhej të ishe në atë vend në atë kohë’ apo mund të ishte shmangur”, thotë Zeçeviç.
Ajo, po ashtu, thekson se Bosnja e Hercegovina, në tërësi si shoqëri, e ka humbur rastin që menjëherë pas luftës të merret më seriozisht me këtë çështje.
“Nëse veprimet e organizatave joqeveritare dhe të shtetit dhe të të gjitha institucioneve do të ishin sinkronizuar menjëherë pas luftës, për t’u dhënë hapësirë viktimave që të flasin, për të përfunduar gjyqet, për të vendosur masat e dëmshpërblimit, mendoj se jeta do të ishte më e lehtë për të gjithë ne”, vlerëson Zeçeviç.
Në vitin 2015, Kroacia miratoi një ligj për të drejtat e viktimave të dhunës seksuale, sipas të cilit ato kanë të drejtë ligjore për një kompensim nga 13 mijë deri në gati 20 mijë euro, si dhe kompensim mujor e sigurim shëndetësor.
Viktimat e përdhunimeve të luftës në Kosovë marrin rreth 230 euro kompensim mujor pas konfirmimit të statusit të tyre si viktima civile të luftës. Më shumë se 1.000 persona kanë arritur të sigurojnë statusin që nga viti 2018, kur filloi punën Komisioni për Verifikimin e Viktimave Seksuale Gjatë Luftës i Qeverisë së Kosovës.
Në vitin 1995, Qeveria japoneze themeloi “Fondin e Grave Aziatike” për të siguruar “para për pendim” nëpërmjet tij. Më saktësisht, ajo siguroi para për gratë nga Filipinet, Koreja dhe Tajvani, të cilat u përdhunuan nga ushtarët japonezë në Luftën e Dytë Botërore. Secila nga 285 gratë e identifikuara dhe të gjalla që u përdhunuan gjatë luftës, duhet të merrnin deri në dy milionë jen, afërsisht 14.000 euro.
Përveç kësaj, çdo grua duhej të merrte deri në tre milionë jen, ose rreth 21.000 euro për kujdes shëndetësor.
Sipas Institutit të Kërkimeve të Paqes nga Frankfurti, përmes programit të dëmshpërblimeve të Sierra Leones, viktimat e luftës kanë marrë kompensim financiar, si dhe ndihma për kirurgji dhe lloje të tjera të mbështetjes.
Megjithatë, për shkak të numrit të madh të viktimave, përfitimet u shpërndanë në mënyrë selektive për grupe të caktuara, si p.sh. gratë me aftësi të kufizuara dhe të dhunuara seksualisht, të cilat përfunduan duke marrë një pagesë një herë prej rreth njëqind dollarëve.
Përdhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale janë të ndaluara sipas Ligjit ndërkombëtar humanitar në konfliktet e armatosura ndërkombëtare dhe jondërkombëtare.
Si shkelje e rëndë e këtij ligji, dhuna seksuale përbën një krim lufte.
Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare përfshin përdhunimin dhe disa forma të tjera të dhunës seksuale në listën e krimeve të luftës dhe në listën e akteve që përbëjnë krime kundër njerëzimit kur kryhen si pjesë e një sulmi të gjerë ose sistematik të drejtuar kundër çdo popullsie civile.? Radio Evrope e Lirë
Top Channel