Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngriti shqetësimin për mos marrje informacioni në lidhje me ndarjen nga jeta të një të paraburgosuri javën e shkuar.

Vëzhguesit tanë, thotë Komiteti Shqiptar i Helsinkit,  nuk iu mundësua informacioni nga organet përkatëse, gjë që do t’i shërbente sqarimit të çështjes të Enver Shehit 59 vjeç, i cili, mbahej në paraburgimin 313 në Tiranë. Kjo qasje e autoriteteve thotë Komiteti Shqiptarë i Helsinkit,  krijon një ambient tkurrës për mbrojtësit e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Enver Shehi ishte me masën arrest me burg nën dyshimin e  krijimit të  skemave mashtruese në lidhje me tatimin mbi vlerën për inceneratorin e Fierit. Ai u dërgua me në QSUT pasi pasditen e të shtunës së shkuar, shfaqi probleme me shëndetetin.

Besohet se ai pësoi një arrest kardiakt por nuk mundi të mbijetojë. Enver Sheshi kishte bërë disa herë kërkesë në Gjykatën e Posaçme në mënyrë që t’i ndryshohej masa e sigurisë ‘arrest me burg’ por nuk u pranua.  Sheshi ishte arrestuar më 16 nëntor 2022,  për inceneratorin e Fierit së bashku me 10 persona të tjerë.

“Institucionet pengojnë vëzhguesit e KShH-së të monitorojnë praktikën për humbjen e jetës së të pandehurit E.Sheshi

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), u informua nëpërmjet medias se E.Sheshi që ndodhej si i paraburgosur  në IEVP 313, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, më datë 08.01.2023 u dërgua në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUNT), ku dhe ndërroi jetë. KShH i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve të të ndjerit. Duke vlerësuar të dhënat e medias dhe në përmbushje të misionit të tij, KShH ngarkoi një grup monitorimi për të verifikuar në terren këtë ngjarje. Monitorimi u realizua në datat 10 dhe 11 Janar 2023.

Fillimisht u drejtuam në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) 313 dhe morëm takim me Drejtorin, i cili referoi se ky shtetas nuk ka adresuar asnjëherë ankesa shëndetësore kardiake para episodit të dt. 08.01.2023 (ditën e dielë), rreth orës 16:10, kur referohet se ka shfaqur shqetësime për disa dhimbje në kraharor. Menjëherë, pretendohet se i është ofruar ndihma e parë mjekësore, e më pas është transportuar nëpërmjet ambulancës pranë QSUT-së. Me pretendimin se çështja po ndiqet nga prokuroria dhe çdo gjë lidhur me këtë çështje e disponon ajo, drejtuesi i IEVP 313 nuk pranoi që vëzhguesit e KShH-së të njiheshin me dokumentacionin përkatës të pranimit të të ndjerit në IEVP 313[1]. Në kundërshtim me marrëveshjen e bashkëpunimit që KShH ka me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, nuk u pranua që vëzhguesit të merrnin takim me stafin e institucionit dhe as të kqyrnin ambientet në të cilat ishte akomoduar i paraburgosuri.

Vëzhguesit u paraqitën më pas në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës (organi që ushtron ndjekjen penale), pranë së cilës u informuam nga Koordinatorja për të Drejtën e Informimit se nuk kishte asnjë kallëzim të regjistruar për këtë çështje. Nëse do të ketë një të tillë, presim që prokuroria të bëjë verifikimet brenda 5 ditëve.

Ditën e dytë të verifikimit, vëzhguesit e KShH-së u paraqitën në 4 institucione të ndryshme të Policisë së Shtetit[2] dhe pas një kalvari të gjatë vizitash dhe përcjellje nga këto autoritete, u arrit të konkretizohej se në Komisariatin nr. 4, Tiranë, Oficeri i Policisë Gjyqësore kishte kryer disa veprime procedurale për këtë ngjarje. Ai na informoi se pas marrjes së njoftimit nga salla operative, që E.Sh ka ndërruar jetë në QSUT dhe ndodhet në morg, ka shkuar në morg dhe ka kryer disa veprime procedurale për fiksimin e provave siç janë ‘procesverbal kqyrjeje kufome për E.Sh; procesverbal për kryerjen e ekspertizës mjeko – ligjore, si dhe të dhënat e marrra nga sistemi TIMS për këtë shtetas’. Vlen të theksohet se sipas legjislacionit tonë, oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore kryejnë veprime kur lind nevoja për ruajtjen e gjurmës së veprës penale ose të vendngjarjes, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe duke njoftuar menjëherë prokurorinë kompetente[3]. OPGJ pretendon se ka njoftuar prokurorin lidhur me këto veprime, por nuk nuk na u vendos në dispozicion asnjë informacion konkret, se cili ishte ky prokuror dhe në ç’mënyrë ishte njoftuar (me telefon, shkresë, etj).

Procesverbalet përkatëse të mbajtura prej OPGJ së Komisariatit nr.4, me shkresën nr. 167/k prot, datë 10.11.2023, i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale dhe nuk rezulton të jetë bërë ndonjë kallëzim penal. Kërkesa verbale e grupit të vëzhguesve të KShH për t’u njohur me këtë dokumentacion, nuk u pranua prej tij, me arsyetimin se ato i janë përcjellë Prokurorisë. Fill pas kësaj, vëzhguesit e KShH shkuan për herë të dytë në harkun e 24 orëve, në Prokurorinë e Tiranës. Koordinatorja për të Drejtën e Informimit u shpreh sërisht se nuk rezulton të jetë regjistruar çështje lidhur me vdekjen e E.Sh. E pyetur lidhur me njohjen e dokumentacionit të dërguar nga Komisariati nr.4, ajo sqaroi se në prokurori ato ende nuk kanë mbërritur. Gjithashtu ajo u interesua pranë prokurores së gatshme që mbulon juridiksionin e Komisariatit nr. 4, nëse ishte në dijeni për çështjen e mësipërme dhe informoi vëzhguesit se prokurorja Znj.  E.K nuk ishte në dijeni për këtë çështje.

Vëzhguesit e KShH-së u paraqitën edhe pranë dy institucioneve të tjera si Drejtoria e QSUNT dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore. Pranë QSUNT, pas një kohe të gjatë pritje, u informuam se duhet të bënim një kërkesë për informacion. Përfaqësuesit e IML na komunikuan që nuk kishin dalë ende rezultatet e autopsisë (të cilat vononin deri në 30 ditë) dhe duhej të dërgonim një kërkesë për informacion për çdo dokument që kërkonim prej tyre.

Referuar jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, një përgjigje e menjëhershme nga autoritetet në hetimin e vdekjeve të dyshimta është në përgjithësi thelbësore në ruajtjen e besimit të publikut në mbështetje të shtetit të së drejtës dhe të parandalimit të çdo forme të marrëveshjeve të fshehta ose tolerancës ndaj akteve të paligjshme (shih Merkulova kundër Ukrainës, 3 mars 2011, dhe Armani da Silva kundër Mbretërisë së Bashkuar [DHM], 30 mars 2016).

Nga sa përmendëm më lart, rezulton se vëzhguesve të KShH nuk iu mundësua informacioni nga organet përkatëse, gjë që do t’i shërbente sqarimit të çështjes. Ky qëndrim është i papajtueshëm me transparencën që shkon për krah me parimin e përgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore. Në çështjen në fjalë, rezervat për dhënie informacioni ndaj një organizate të njohur për misionin e saj, sikurse është KShH janë të panevojshme dhe krijojnë dyshime të arsyeshme në sytë e një vëzhguesi të paanshëm e objektiv, për arsyen e refuzimit të informacionit. Gjithashtu, është e dëmshme në kuptim të aktualitetit dhe qëllimit që ka një monitorim, që të kërkohet parashtrimi i kërkesës zyrtare për informacion për të marrë kopje të këtyre dokumentave, nëse ato disponohen aty për aty nga organet.

Kjo qasje e autoriteteve krijon një ambient tkurrës për mbrojtësit e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe amplifikon barrën që kanë autoritetet për të hetuar në mënyrë të pavarur, objektive dhe efikase rrethanat në të cilat ka vdekur ky shtetas, sipas detyrimeve procedurale të nenit 2 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që garanton të drejtën e jetës.

KShH i sugjeron Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si organi i ndjekjes penale që për çështje që nuk përbëjnë sekret hetimor, të informojë publikun për veprimet që ka kryer dhe po kryen kjo prokurori për çështjen dhe sidomos familjarët e viktimës.”- thuhet në njoftimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA