Çmimet e larta në tregun shqiptar të karburanteve kanë aktivizuar sërish këtë fillimviti kontrabandën e naftës përmes anijeve të peshkimit.

Një anije peshkimi me afro 50 mijë litra naftë të padeklaruar është sekuestruar mëngjesin e së premtes në portin detar të Durrësit. Autoritetet kanë bllokuar anijen “Geni” e cila u mbajt nën vëzhgim pas daljes për gjueti në det të hapur.

Në ujërat ndërkombëtare anija është pikasur nga qendra ndërinstitucionale operacionale detare në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n italiane teksa furnizohej me naftë kontrabandë nga një anije e Libisë. Pas furnizimit autoritetet kanë bërë shoqërimin e anijes në kalatën e antikontrabandës detare, ku mbahen edhe 3 anije të tjera të sekuestruara me naftë në portin e Durrësit.

I ndaluar në polici, ekuipazhi i anijes ‘Geni’ ka deklaruar se është furnizuar me naftë për nevojat e anijes dhe jo për ta tregtuar atë me qëllime fitimi.

Hetimet për këtë rast kontrabande po zgjerohen më tej. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur për TCH se në ujërat tona po shoqërohet edhe anija e huaj që furnizoi me naftë libiane anijen shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA