Viktima e parë si pasojë e gripit stinor është regjistruar për këtë vit në Maqedoninë e Veriut.
Personi që ka ndërruar jetë është një 65 vjeçar nga Shkupi, te i cili është konstatuar influenca A/H3.
Pacienti, i cili ka ndërruar jetë nuk ka qenë i vaksinuar kundër gripit, ndërsa ka qenë duke u kuruar në Klinikën Infektive.
Në raportin e Institutit të Shëndetit Publik, është bërë e ditur se pacienti, i cili ka ndërruar jetë ka vuajtur edhe nga sëmundje të zemrës dhe mushkërive. Nga Klinika Infektive nuk kanë dhënë detaje për këtë rast. Jo zyrtarisht është mësuar se ai ka qenë i shtruar një muaj në Klinikë, përkatësisht gjatë gjithë dhjetorit, ndërsa ka ndërruar jetë më 1 janar.
Gjatë sezonit të gripit, gjithsej janë regjistruar 3 viktima. Dy nga Shkupi dhe një nga Dibra. Raporti i fundit i institutit të Shëndetit Publik ka treguar se gjatë javës së parë të janarit janë regjistruar 821 raste me grip stinor, që është për rreth 350 raste më shumë krahasuar me një javë më parë, ndërsa për rreth 75% ky numër është më i lartë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Moshat nga 0-4 vjeç mbeten më të prekurat nga gripi. Autoritetet shëndetësore bëjnë apel për vaksinim kundër gripit, shkruan Alsat.
Nga Qendra e Shëndetit Publik në Shkup kanë thënë se me rritjen e numrit të të prekurve nga gripi është rritur dhe interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar.
Deri më tani, me vaksina kundër gripit sezonal janë imunizuar rreth 60.000 qytetarë.
Top Channel