Fillon gjyqi ndaj aktivistëve që shpëtonin emigrantë, OKB dhe PE kërkojnë heqjen e akuzave

13/01/2023 22:03

Gjykata e Apelit prej tre anëtarësh në ishullin e Lesvos ka proceduar me tërheqjen e një pjese të akuzave për spiunazh, falsifikim dhe dëgjimit të paligjshëm të frekuencave të radios nga 24 anëtarët e OJQ-je greke Emergency Response International, që kanë marrë pjesë në operacionet e ndryshme të shpëtimit të emigrantëve nga viti 2016 deri në 2018.

Por gjyqi, që ka nisur me katër vite vonesë, po vazhdon sa u përket akuzave dhe kallëzimeve të tjera ndaj aktivistëve si krijimi dhe mbështetja e një organizate kriminale, trafikimi i qënieve njerëzore, pastrimi i parave dhe mashtrimi.

“Kjo nuk është drejtësi. Drejtësia do të kishte qenë një gjyq katër vjet më parë kur ne do të ishim shpallur të pafajshëm“, tha Sean Binder, i pandehur.

Nga 24 aktivistët, që ndihmuan më shumë se 1000 njerëz të arrinin të sigurtë në brigjet greke nga ato turke, kur rrezikoheshin në ujërat e Egjeut gjatë valës së madhe migratore, 7 janë të huaj. Mes tyre edhe notarja Sarah Mardini, një refugjate siriane, historia familjare e së cilës dhe kalimi dramatik i detit Egje në vitin 2015 bashë me motrën e saj, frymëzoi filmin e Netflix-it ¨The Swimmers”.

Vendimi erdhi vetëm disa orë pasi Kombet e Bashkuara bënë thirrje për heqjen e akuzave.

“Κëto gjyqe janë thellësisht shqetësuese sepse kriminalizojnë punën që shpëton jetë njerëzore dhe krijojnë precedent të rrezikshëm. Në të vërtetë, ka pasur një efekt drithërues, me mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe organizatat humanitare të detyruara të ndalojnë punën e tyre për këto të drejta në Greqi dhe vende të tjera të BE”, u shpreh Liz Throssell, Zëdhënëse e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Parlamenti Evropian nga ana e tij e ka cilësuar gjyqin, i cili filloi në nëntor 2021 dhe u shty, “rasti më i madh i kriminalizimit të solidaritetit në Evropë”. Rreth 50 punonjës humanitarë po përballen aktualisht me ndjekje penale në Greqi, për dhënien e ndihmës për emigrantët, ndërkohë që qeveria konservatore e ka bërë vendin “më pak tërheqës” për ta me strategjinë e saj në vitet e fundit.

Edhe mbrëmjen e së premtes kryeministri grek Mitsotakis ka deklaruar nga Aleksandrupoli në Greqinë lindore se qeveria e tij do të përfundojë ndërtimin e gardhit ekzistues prej 40 km në kufijtë tokësorë me Turqinë edhe me 80 km të tjera edhe sikur të mos sigurojë fonde shtesë nga BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA