Bashkimi Europian ka kërkuar hapur nga Mali i Zi që si vend kandidat i bllokut, t`i japë fund çdo mase që mund të rrezikojë arritjen e qëllimeve të Bashkimit Europian, përfshirë këtu edhe përdorimin e skemës për dhënien e shtetësisë ekonomike.
“Ne shohim çdo gjë”, ishte mesazhi i nënkuptuar i zëdhënëses së Këshillit Europian, Ana Pisonero Hernandez, e cila theksoi se blloku monitoron nga afër çdo ngjarje që mund të konsiderohet si anashkalim i masave të aplikuara në kuadrin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së tij.
Zëdhënësja kujtoi se “Komisioni Europian vazhdimisht e ka këshilluar Podgoricën që të heqë skemën e shtetësisë për investitorët dhe se Mali i Zi është zotuar ta bëjë këtë deri në fund të vitit 2022, për shkak të rreziqeve që paraqet, si pastrimi i parave, evazioni fiskal, financimi i terrorizmit, korrupsioni dhe infiltrimi i krimit të organizuar”.
Këshilli Europian në raportin e fundit i kërkoi Podgoricës të heqë shtetësinë ekonomike dhe të harmonizojë politikën e vizave për “vendet e treta” .
“Nëse vlerësohet se programe të tilla paraqesin një rrezik të shtuar për sigurinë e brendshme dhe politikën publike të shteteve anëtare, regjimi pa viza mund të pezullohet”, thuhet në raportin për monitorimin e regjimit pa viza të vendeve anëtare.
Raporti rekomandon që Mali i Zi duhet të harmonizojë urgjentisht politikën e tij të vizave me Bashkimin Europian kur bëhet fjalë për vendet e treta, veçanërisht ato që përfaqësojnë emigracionin e parregullt ose rreziqet e sigurisë për Bashkimin Europian.
Në vitin 2021, nga 807 persona që aplikuan për marrjen e shtetësisë në bazë të investimeve, u lëshuan 264 pasaporta malazeze.
Top Channel