Moska emëroi një komandant të ri për pushtimin e saj në Ukrainë, ndërsa firma ushtarake private ruse Wagner Group tha se kapja e qytetit të minierës së kripës Soledar në Ukrainën lindore kishte përfunduar.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu emëroi të mërkurën shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov si komandant të përgjithshëm për atë që Moska e quan “operacioni i saj special ushtarak” në Ukrainë, tashmë në muajin e 11-të.
Gjenerali Gerasimov, i cili ka qenë në post që nga viti 2012, është shefi më jetëgjatë i shtabit të përgjithshëm rus të epokës post-sovjetike.
Nga ana tjetër Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha gazetarëve të mërkurën se nuk mund të vërtetonte raportet se Soledar ishte në duart e Rusisë dhe se 500 ushtarë ukrainas kishin humbur jetën.
Guvernatori i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, i tha televizionit shtetëror ukrainas se 559 civilë mbeten në Soledar, përfshirë 15 fëmijë, dhe ishte e pamundur të evakuoheshin për shkak të luftimeve të vazhdueshme.
Rusia ka luftuar për të shtuar kontrollin mbi qytetin, i cili do të ishte fitimi më thelbësor i Rusisë që nga gushti, pas një sërë tërheqjesh nga ofensiva ukrainase në lindje dhe jug.
Top Channel