Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tepelenës pasi u kap duke transportuar në drejtim të Tiranës 8 emigrantë të paligjshëm.
Në hyrje të qytetit të Tepelenës, në vendin e quajtur “Agjencia”, B. Rr. u kap duke transportuar me automjetin tip “Seat”, në drejtim të Tiranës, 8 emigrantë nga vendet MENA, kundrejt shumës 250 euro për person.
“Finalizohet brenda 24 orëve, operacioni i dytë për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. Operacioni policor i koduar “Road Guard 54” u zhvillua nga strukturat e DVP Gjirokastër dhe Komisariati i Policisë Tepelenë. U kap në flagrancë duke transportuar, kundrejt fitimit, 8 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 33-vjeçari. Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 1 aparat celular. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Road Guard 54″, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: B. Rr., 33 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në hyrje të qytetit të Tepelenës, në vendin e quajtur “Agjencia”, duke transportuar me automjetin tip “Seat”, në drejtim të Tiranës, 8 emigrantë nga vendet MENA, kundrejt shumës 250 euro për person. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe një aparat celular”, sipas policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel