Më shumë telashe për Biden! Gjendet grupi i dytë i dokumenteve të klasifikuara

12/01/2023 13:51

Ndihmësit e presidentit amerikan Joe Biden kanë gjetur një grumbull të ri të të dhënave të klasifikuara të qeverisë në një zyrë tjetër, një siklet politik ky në rritje për Shtëpinë e Bardhë.

Grupi i parë u gjet në një zyrë private në Uashington DC që zoti Biden e përdori pas nënpresidentit të tij, tani çështja është në shqyrtim nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Grupi i parë prej rreth 10 dokumentesh u zbulua në nëntor në Qendrën Penn Biden, një institut pranë Shtëpisë së Bardhë, por doli në dritë vetëm këtë javë.

Këto dokumente thuhet se përfshijnë memorandume të inteligjencës amerikane dhe materiale informuese në lidhje me Ukrainën, Iranin dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar ende për grupin e sapo zbuluar. Megjithatë, zbulimi është konfirmuar nga partneri amerikan i BBC-së, CBS dhe media të tjera amerikane.

Gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp të mërkurën, sekretarja e shtypit e Biden, Karine Jean-Pierre nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me temën.

Ngjarja vjen pasi presidenti demokrat përballet me shqyrtimin e një mazhorance të re republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA.

Ligji kërkon që të gjitha të dhënat e Shtëpisë së Bardhë, përfshirë ato të klasifikuara, t’i dorëzohen Arkivit Kombëtar të SHBA-së .

 

 

 

 

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA