Emigrantët që kalojnë kanalin në mënyrë të paligjshme me gomone do të përballen me një ndalim automatik për të bërë kërkesa për azil sipas masave të reja të ashpra të imigracionit që janë hartuar nga Suella Braverman, raporton Daily Mail.
Sekretarja e Brendshme do të ndryshojë ligjin në mënyrë që çdo migrant që ka kaluar nëpër një vend të sigurt, siç është Franca, të marrë statusin ‘i pavlefshëm’ në kërkesën për azil. Më pas ata do të përballen me largimin e menjëhershëm nga Britania.
Legjislacioni i ri do të përcaktojë gjithashtu masa të mëtejshme për të trajtuar ‘kërkesat e rreme për azil’.
Ndryshimet ligjore do të formojnë një plan kyç të përpjekjeve për të përmbushur premtimin e kryeministrit Rishi Sunak për ‘të ndalur gomonet me emigrantë’.
Vitin e kaluar, një rekord prej 45,728 emigrantësh mbërriti nga Franca veriore me 1,104 varka, duke tejkaluar numrin total të 28,526 të vitit 2021.
Muajin e kaluar Kryeministri Rishi Sunak u zotua të ashpërsojë ligjet e imigracionit, në mënyrë që të gjithë migrantët, shumë prej të cilëve janë shqiptarë, të ‘ndalohen dhe kthehen me shpejtësi’ në atdheun e tyre ose në një vend të tretë.
“Nëse vini në vendin tonë ilegalisht, nuk do të keni të drejtë të qëndroni dhe do të largoheni”, ka premtuar Sunak.
Top Channel