Kriza ekonomike, gjysma e evropianëve thonë se standardet e tyre të jetesës janë në rënie

12/01/2023 14:26

Kriza e kostos së jetesës e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, kriza e energjisë, rritja e inflacionit dhe pandemia e koronavirusit është bërë shqetësimi më i madh për qytetarët e Bashkimit Evropian, sipas një sondazhi të ri që tregon se 45% e të anketuarve aktualisht kanë “disa” ose “shumë” vështirësi me të ardhurat e tyre personale.

46% e evropianëve pranojnë se standardet e tyre të jetesës tashmë janë ulur si rezultat i krizave në rritje, ndërsa 39% presin të shohin një rënie gjatë këtij viti.

Vetëm 14% prej tyre nuk ​​parashikojnë asnjë lloj ndryshimi apo ndikimi në financa. Vendet ku rënia e perceptuar e standardit të jetesës ka qenë më e theksuar janë Qiproja, Greqia, Malta, Franca dhe Portugali.

Njerëzit në vendet nordike janë më të kënaqur me të ardhurat e tyre aktuale.

Por më shqetësues është fakti se 39% e të anketuarve pranojnë se kanë vështirësi të paguajnë faturat e tyre mujore. Greqia dhe Bullgaria raportojnë pjesën më të madhe të popullsisë që kalon këtë lloj vështirësie, me përkatësisht 86% dhe 64%.

Në përgjithësi, 56% e evropianëve shprehin pakënaqësi me masat e marra në nivel të BE-së për të trajtuar kostot në rritje të jetesës, ndërsa 64% mendojnë të njëjtën gjë për veprimet e qeverive të tyre kombëtare.

Në total, 93% e pjesëmarrësve në sondazh thonë se janë të shqetësuar për krizën e kostos së jetesës, duke përfshirë rritjen e çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Ky sondazh i publikuar nga Parlamenti Evropian të enjten në mëngjes, bazohet në më shumë se 26,000 intervista ballë për ballë të kryera midis tetorit dhe nëntorit në të 27 vendet anëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA