Kompleksi ushtarak ku familja mbretërore britanike stërvitet si të veprojë në ‘situata krize’ (fotot)

11/01/2023 17:23

Ishte në fakt vetë nëna e tyre Diana që çoi princët Willy e Harry në stërvitjen e tyre të parë ushtarake kur ishin të vegjël, çka bëhej në një kompleks të posaçëm për mbretërorët në Herefordshire, në Britaninë qendrore.

Në një pjesë të librit të shumë-komentuar të Harry, princi shpjegon sesi kur ishin fëmijë, bashkë me të vëllanë u dërguan në një stërvitje të rëndë ushtarake për t’u përgatitur për raste të mundshme peng-marrjeje.

Kompleksi në fjalë i ushtrisë britanike ishte i ndërtuar në dukje si një shtëpi e zakonshme, cka  ushtria e përdor ende sot për stërvitje e praktikime të ngjashme.

Duke kujtuar vizitën në bazën e Herefordshire në vitet 1990, Harry thotë se bashkë me të vëllanë i kishin futur në një dhomë dhe u thanë të qëndronin palëvizur. Më pas dhoma u errësua.

Në libër ai kujton: “Një skuadër ushtarësh goditën në derë, ata jepnin goditje të papritura, na tmerruan, por ky ishte dhe qëllimi i tyre. Ata donin të na mësonin sesi të reagonim në rast se jeta jonë ishte në rrezik”.

Ish-ushtaraku special britanik Robin Horsfall thotë se ka praktikuar stërvitje të tillë për civilë të veçantë gjatë viteve në Herefordshire.

“Impjanti është një seri dhomash me copë nëpër mure, ku mund të përshtaten mobiljet, ndriçimi dhe mund të praktikohet situata me pengje”, thotë Horsfall.

Ushtaraku që është bashkuar me forcat speciale që në moshën  21 vjeçare në 1979, tha për rrjetin Metro.co.uk se gjatë praktikës ushtarët ishin të armatosur me automatikë MP5, e pistoletë 9mm Broëning Hi-Poëer.

Ata përdornin tym dhe mjete piroteknike për të krijuar atë që quajnë “stërvitje intensive” në mënyrë që ushtarakët më pas të përballen me pengmarrësit me qetësi dhe vetëbesim.

Snajperi i marinsave thotë: “Duhet të stërviteshim me municione të vërteta, në zona të vështira dhe me ndriçim të ulët pasi duhet të krijojmë besim te njëri-tjetri”.

“Si standard, në largësi prej pesë metrash duhet të qëllonim të gjithë plumbat në perimetrin e fytyrës së pengmarrësit. Nuk bëhen arrestime, vriten terroristët dhe shpëtohen pengjet, prandaj terroristët eliminohen”.

Horsfall kujton se Princesha Diana, thuajse u plagos në një ditë stërvitjeje në 1982.

“Ajo po na ndihmonte me stërvitjen jashtë, duke drejtuar një makinë te ndërtesa ku po bënim simulimin e sulmit me municion manovre. Ajo kishte hapur dritaren për ajër por një prej mjeteve piroteknike i dogji flokët. Nuk pësoi gjë por duhet të bënte një tjetër stilim në parukeri”.

Por megjithëse stërvitja dukej ekstreme, psikoterapistja ushtarake Rachel Melville-Thomas thotë se eksperienca ka qenë më shumë zbavitëse sesa frikësuese për princat e rinj.

“Stërvitja ushtarake nuk ka qenë gjë tjetër përveçse zbavitëse për djemë, pasi kanë dhe modele të tjera ushtarake në familje”, tha ajo.

Melville-Thomas shton se drama e vërtetë për ta ka qenë humbja e nënës që ishte mbi të gjitha protektorja e tyre.

FOTO GALERI
1/4
Ishte në fakt vetë nëna e tyre Diana që çoi princët Willy e Harry në stërvitjen e tyre të parë ushtarake kur ishin të vegjël

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA