2023 do të jetë viti në të cilën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të sprovohet sërish për organizimin e vendorëve të 14 Majit, por situata politike brenda kampit opozitar duket se ia ka vështirësuar punën.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi në një intervistë për Top Channel shprehet se pavarësisht se cili është realiteti politik dhe juridik në selinë blu, në finale vendimmarrja do bëhet në bazë të ligjit.
“Shiko, e vërtetë që nuk mund të bëjmë sikur se shikojmë apo nuk e lexojmë këtë realitet, por në fund të fundit për KQZ nuk ka fare zë në aspektin e vendimmarjes. Nuk dua të fsheh që krijon një lloj tensioni, por në pikëpamjen e ligjit çështja është shumë e thjeshtë. Por, jetojmë këtu qoftë dhe si qytetar dhe e kuptojmë shumë mirë që kur ka një konflikt të tillë politik nuk është pozitive për atmosferën e zgjedhjeve”.
Për këto zgjedhje KQZ kishte paraqitur kërkesën për implementimin e votimit dhe numërimit elektronik në 6 Bashki të mëdha të vendit, por që kërkonte para nga Qeveria.
“Jo nuk e patëm mbështetjen financiare për të realizuar procesin e votimit dhe numërimit elektronik në 6 Bashki të mëdha. Kështu që për zgjedhjet e 2023 votimi dhe numërimi elektronik do aplikohet sërish në Bashkinë e Vorës pasi numri i pajisjeve në KQZ korrespondon me numrin e QV te votimit te Bashkisë”.
Paralelisht me zgjedhjet e pranverës, KQZ duhet e te kujdeset para kohe edhe për zgjedhjet parlamentare te 2025-ës për shkak të detyrimit Kushtetues për votën e emigranteve. Për këtë çështje, Komisioneri Celibashi i bën apel politikes qe te mos humbas kohë për ndryshimet e nevojshme ligjore.
“Sa më shumë kohë të marrë procesi aq më e vështirë do jetë dhe ne për miratimin e akteve nënligjore dhe nga ana tjetër ka mundësi sa me afër ditës së zgjedhjeve aq me konfliktuale do jete situata mes palëve”.
Top Channel