Diplomatë europianë e amerikanë pritet të zhvillojnë takime të ngjeshura gjatë muajit janar lidhur me situatën e Ballkanit Perëndimor, e për këtë arsye, këtë muaj do të ketë shumë vizita nga ana e tyre.
Axhenda intensive, e raportuar nga mediat në Kosovë, pason tensionet e vazhduara mes Kosovës e Serbisë, të cilat u theksuan akoma edhe më shumë në fundin e vitit të kaluar.
Kjo ka bërë që vitin 2023, përfaqësues të ShBA-së dhe vendeve kryesore të BE-së, ta nisin menjëherë me takime e bisedime. Ndër të parët që do të nisin përfaqësuesit e tyre të lartë për këtë qëllim janë DASH, qeveria e Francës dhe ajo e Gjermanisë.
Po hidhet ideja se tashmë mund të jetë e afërt arritja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi.
Ndryshimi i situatës së sigurisë në Evropë prej shpërthimit të luftës në Ukrainë, duket se i ka ndryshuar parametrat. Duke folur në kushte anonimiteti, diplomat europianë thonë se Serbia, e cila deri më tani nuk u është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, është duke ndjerë presionin, në një kohë kur Kremlini vetë po përballet me humbje të mëdha në Ukrainë.
Pak kohë më parë, autoriteteve në Kosovë dhe Serbi iu dorëzua një plan i Bashkimit Europian, që në publik njihet si plani franko-gjerman. Në draftin e këtij propozimi, nuk përmendet njohja reciproke, por ai duket se shërben si platformë drejt një marrëveshjeje më gjithëpërfshirëse.
Pjesa më e rëndësishme e propozimit është ajo që “të dyja palët duhet të njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e makinave dhe vulat doganore”.
Top Channel