Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku shpjegoi punët e vitit që kaloi në sektorët që ajo mbulon duke renditur si suksese një sërë projektesh, por ajo la pa një përgjigje bindëse për çështjet që shqetësojnë qytetarët. e para lidhet me çmimin e karburanteve.
Prej disa muajsh çmimi i naftës vendoset nga një bord i ashtuquajtur transparence i cili nuk pranon që të bëjë transparente mbledhjet e tyre.
Kristi Gongo: Ky është një bord që siç kemi raportuar mblidhet rrallë dhe është evidentuar se bëhet një favorizim nga ana e bordit për grosistët e naftës me fiksimin e çmimeve, ndërkohë dua t’ju pyes zonja ministre a mendoni se është koha për ta rimenduar ekzistencën e këtij bordi për vitin 2023, pasi qartazi duket që s’e kryen funksionin për të cilin është krijuar.
Balluku: Bordi merr dhe bën transparent metodologjinë e vendosjes së çmimit, ka një bursë dhe ka një premium, merret bursa merret premiumi, merren faturat doganore dhe këto përmes një metodologjie shumë transparente vendosin çmimin. E dyta, sa i përket mblidhet rrallë, bordi nuk mblidhet rrallë, mblidhet kur ka ndryshim çmimi, kështu që rrallë apo shpesh nuk është në dorën e ne të dyjave.
Top Channel ka paraqitur mbi shtatë kërkesa për të ndjekur mbledhjen e bordit të ashtuquajtur të transparencës dhe kjo nuk është bërë e mundur në asnjë rast. Ndërkohë që pika e dytë e diskutueshme është ajo e koncesioneve te rrugëve që do të bëhen me pagesë për 35 vitet e ardhshëm. Ministrja Balluku tha se financat e shtetit nuk do preken nga këto koncesione sepse rrugët do ndërtohen me paratë e privateve.
Por ajo që mbeti e paqartë është se për çfarë interesi bankar ka rënë dakord ministrja e infrastrukturës. Interesi qe do paguhet për kreditë që kompanitë gener 2 dhe Fusha do marrin për punimet ne rrugë. Të gjitha këto para në fund do të paguhen direkt nga qytetarët shqiptare në traun e kalimit në të paktën 5 pjesët e korridorit Jonian qe do kalojë në Shqipëri për 35 vite me radhë. Këto rrugë që në disa pjesë janë të vetmet në këtë mënyre kthehen si pronë private deri në vitin 2057 duke ngarkuar me borxhe, fëmijet dhe nipat tanë.
Gazetarja: Nuk e di a e keni vënë re por banorët e Bërxullës janë mbledhur në protesta për shpronësimet, me ç’të drejtë i keni dhënë të drejtën e shpronësimit kompanisë Gener 2, teksa vite më parë keni deklaruar se ka kosto shumë të larta dhe nuk do rindërtohej?
Ministrja ndërkohë la pa përgjigje konfliktin e lindur për tokat ku do ndërtohet rruga Thumanë- Kashar. Banorët e fshatit që po reziston, kanë protestuar edhe para zyrë së saj
Top Channel