Prezantoheshin si persona të rëndësishëm të strukturave të shtetit, arrestohen tre mashtruesit nga Shkodra

07/01/2023 14:58

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi mashtronin qytetarët duke u prezantuar si persona të rëndësishëm në strukturat e shtetit.

Jasmin  Pepaj, Rezart  Pepaj dhe Sherif Kadroviç u kapën në flagrancë në tentativë për të përfituar nëpërmjet mashtrimit 130 000 euro.

Gjatë operacionit policor të koduar “Signal”, u sekuestruan 12 600 euro të tjera.

Jasmin Pepaj 40 vjeç, Rezart Pepaj 31 vjeç dhe Sherif Kadroviç, 36 vjeç, të tre banues në Shkodër akuzohen për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.

Ata shkonin në  biznese të ndryshme dhe prezantoheshin si njerëz të rëndësishëm në strukturat e shtetit, për të përfituar shuma të konsiderueshme parash në euro.

Në total, në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 142 600 euro.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Signal”.

Operacioni, për goditjen e një grupi që kryente veprimtarinë kriminale të mashtrimit, me qëllim përfitimin.

Vihen në pranga 3 shtetas nga Shkodra, të cilët u kapën në flagrancë në tentativë për të përfituar nëpërmjet mashtrimit, shumën prej 130 000 eurosh.

Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, u gjetën dhe u sekuestruan 12 600 euro të tjera.

Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Signal”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, shtetasit:

-J. P., 40 vjeç, R. P., 31 vjeç dhe Sh. K., 36 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Drejtoria Hetimore kishte siguruar informacione falë inteligjencës informative, se disa shtetas kryenin veprimtarinë kriminale të mashtrimit, në disa biznese të ndryshme. Këta shtetas prezantoheshin si njerëz të rëndësishëm në strukturat e shtetit, për të përfituar shuma të konsiderueshme parash në euro.

Bazuar në këto informacione, Drejtoria Hetimore në Policinë e Shtetit referoi materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi procedimin penal për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.

Si rezultat i përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe bazuar në provat e mjaftueshme të siguruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Signal”, këta shtetas u arrestuan në flagrancë, në tentativë për të përfituar me anë të mashtrimit, në një biznes në Tiranë, shumën prej 130 000 eurosh.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e shtetasve të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 12 600 euro të tjera, të përfituara nga veprimtaria kriminale e mashtrimit.

Në total, në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 142 600 euro.

Në lidhje me këtë rast, nga Drejtoria Hetimore në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, për thellimin e hetimeve, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë pronarët e bizneseve që të tregohen vigjilentë ndaj rasteve të tilla të mashtrimit, si dhe të denoncojnë menjëherë pranë strukturave të Policisë së Shtetit, në rast sa janë viktima të kësaj veprimtarie kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA