Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano përcolli reagimin e ashpër të BE-së ndaj plagosjes së serbëve në Shtërpcë gjatë pasdites së të premtes.

Stano u shpreh se është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të bëjnë një hetim të plotë për këtë krim të neveritshëm dhe që drejtësia të vihet në vend. Ai uroi shërim sa më të shpejtë për dy të plagosurit, njëri fëmijë dhe tjetri një djalë i ri.

“E dënojmë me vendosmërinë më të madhe plagosjen e një fëmije dhe një të riu në Kosovë. Është e rëndësishme që autoritetet të hetojnë plotësisht këtë krim të neveritshëm dhe drejtësia të vendoset. I urojmë viktimave shërim të plotë dhe të shpejtë”, tha Stano.

Policia e Kosovës njoftoi të premten se dy persona janë plagosur në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës, një komunë e banuar me shumicë serbe, rreth 50 kilometra në jug të Prishtinës. Të lënduarit janë të moshës 11 dhe 21 vjeçare dhe u qëlluan me armë zjarri nga të dyshuar që nga një makinë që po lëvizte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Ata janë jashtë rrezikut për jetë dhe po trajtohen në spitalin e Graçanicës afër Prishtinës ndërsa tha se ka arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33 vjeçare në lidhje me plagosjen. Mediat serbe identifikuan të plagosurit si Millosh dhe Stefan Stojanoviç nga komuna e Shtërpcës. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se në këtë rast është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Plagosja ngjalli reagime të shumta të udhëheqësve të institucioneve vendase e ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani përmes një komunikate tha se plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë.

Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti e dënoi ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë, duke nënvizuar se policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim.

Zyrtari i Listës Serbe, Dalibor Jevtic deklaroi se të dielën më 8 janar do të mbahet protestë përpara Shtëpisë së Kulturës në Shtërpcë pas rastit të plagosjes së dy të rinjve atje. Protesta do të mbahet në orën 12:00 dhe Jevtic thotë se nga aty do të dërgojnë mesazhin se “na ka ngopur terrori dhe urrejtja, se duam vetëm paqe dhe të jemi në rrugën tonë”.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA