Gjatë dimrit virozat janë më se të zakonshme dhe prekin si fëmijët ashtu edhe të rriturit.
Por së fundmi shumë pacientë janë paraqitur tek mjeku me dhimbje veshi, simptomë kjo që shfaqet nga virozat që prekin traktin e sipërm respirator.
“Kohët e fundit kemi shtim të virozave dhe si rrjedhim edhe shtim të problemeve të veshit. Shtim i rasteve me dhimbje të e veshit vjen zi rezultat i virozave që prekin traktin e sipërm respirator, sepse ka një lidhje të drejtpërdrejtë të hundës me veshin dhe bllokimi I hundës sjell një mos ajrosje të veshit të mesit dhe më pas si rrjedhojë një infeksion të tij”, tha mjekja Evis Bendo.
Shqetësimi që vjen nga veshi është një sinjal që tregon nevojën për tu vizituar tek mjeku, në mënyrë që mos të shfaqen komplikacione të tjera.
“Fillon si virozë e thjeshtë me bllokim hunde, sekrecione nga hundët mbase pak dhimbje fyti dhe normalisht mjekimi është simptomatik. Pastaj nëse fillon dhimbja e veshit pacienti duhet te drejtohet tek mjeku. Infeksionet e veshit ka raste që mund te kalojnë me kalimin e virozës pa mjekim specifik por edhe komplikacionet janë pjesë e historisë së sëmundjes nëse nuk mjekohet siç duhet. Do insistoja që në rast se fillon dhimbja e veshit pacienti të vizitohet”, shtoi mjekja.
Kryesisht këto janë viroza që zgjasin rreth një javë por mjekët këshillojnë mos neglizhimin e simptomave dhe trajtimin e tyre në bazë të konsultave mjekësore.
Top Channel