Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se arritja e njohjes reciproke me Serbinë tani është e mundur, pasi beson në fuqinë e BE-së dhe ShBA-së për të bërë trysni ndaj palës serbe në arritjen e marrëveshjes finale.
Në një konferencë për media, Kurti tha se roli i ShBA-së në dialog është i madh.
“Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka thënë shumë qartë se Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje finale, e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Besoj në fuqinë e BE-së dhe të SHBA-së që të bëjnë presion shtesë mbi Serbinë. Ka nevojë për trysni shtesë mbi Beogradin. Problemi është në Beograd megjithatë besoj se partnerët tanë kanë mjaftueshëm fuqi që të bëjnë trysni në Beograd në mënyrë që të kemi m marrëveshje të tillë që sjell njohjen reciproke”, tha Kurti.
Ndërkohë më herët Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e bëri të qartë se nga Prishtina e Beogradi kërkohet kurajo për të lënë pas ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të shtetit të tyre.
”Nuk dua të merrem me detajet e asaj çfarë ka propozuar BE-ja. Mendoj se ndonjëherë, në çfarëdolloj negociatash, është më mirë që këto detaje të lihen pas dyerve të mbyllura, deri në momentin kur të jenë gati. Por, mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, edhe pse sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira. Të dy udhëheqësit, në Kosovë dhe Serbi, kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë në rrugën drejt integrimit më të madh në komunitetin euroatlantik. Ne e mbështesim së tepërmi këtë dëshirë”, tha Chollet.
Propozimi i BE-së, i njohur edhe si plani franko-gjerman, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një rregullim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Megjithatë, në tekst nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Top Channel