Pas festave të fundvitit mjekët thonë se korridoret e qendrave shëndetësore janë mbushur plot me pacientë, që në ditët e para të Vitit të Ri, që sapo ka nisur.
“Dje dhe sot shohim një trend në rritje të rasteve të vlerësuara me simpomatologji të nivelit mesatar dhe të avancuar, të cilët jo në të gjitha rastet I kemi evidentuar të gjithë si pacientë me Covid, nëpërmjet Rapid Testeve dhe tamponëve që kryhen në qendër, por që janë forma virale që mund të jetë grip, Covid, apo viroza stinore.”- shprehet mjekja Bruna Shiroka.
Cilat janë simptomat?
“Si çdo virozë tjetër, simptoma që dominon është temperatura, që varion nga 38-39-40 gradë. Janë gjithashtu dobësia trupore dhe kolla. Kemi në raste të rralla edhe dhimbje fyti dhe hundë të zëna apo dhimbje veshi.”- thotë mjekja.
Cila është grup-mosha që dominon më shpesh?
“Po shohim nga të gjitha grupmoshat, por kryesisht janë grupmoshat e reja. Kjo ndodh edhe për shkak të fushatës së vaksinimit të gripit, që kemi realizuar në qendrën tonë shëndetësore prej muajit Tetor, ku kemi vënë theksin tek të moshuarit, pacientët me sëmundje kronike, me probleme të sistemit imunitar etj. Ndoshta kjo pjesë është më e ruajtur të themi, por këtë do ta shohim në vazhdim. Pjesa tjetër e popullatës, e pavaksinuar, është pjesa që po shfaqet më së shumti, për të marrë këtë shërbim shëndetësor në kuadrin e virozave të stinës.”
A kishin lidhje festat?
“Festat dhe grumbullimet e mëdha familjare, me miqtë, në sheshe etj, ndoshta edhe patën ndikim, por unë nuk mund ta them këtë gjë. Ne jemi në një sezon normal të shfaqjes së virozave, edhe të gripit, pra fundi i dhjetorit, janari dhe shkurti gjithnjë kështu kanë qenë, ndaj mendojmë se mund të jetë pikërisht kjo situatë, e shfaqjes së virozave stinore, ku mbi to prevalon gripi, i cili do të bëjë dominantën kryesore të sëmundjeve akute, të përditshmërisë, në sistemin parësor shëndetësor.”- përfundon mjekja.
Top Channel