Greqia po përballet me mungesa të konsiderueshme të barnave pa recetë.
Sipas Shoqatës Panhelene Farmaceutike aktualisht ka mungesa të konsiderueshme të këtyre ilaçeve në një moment të vitit kur shumë njerëz janë të prekur nga viruset e stinës.
Ka mungesa tek barnat kryesore, si shurupet antipiretike , shurupet e kollës, ilaçet që kanë të bëjnë kryesisht me fëmijët, si antibiotikët , ato kundër dhimbjeve dhe temperaturës etj.
Janë mbi 250 medikamente që mungojnë në raftet apo depot farmaceutike midis tyre edhe ato për sëmundjet kronike dhe të rënda si sëmundjet e zemrës, të frymëmarrjes, osteoporoza, diabeti, epilepsia, çrregullimet neurologjike, sëmundjet psikiatrike dhe glaukoma.
“Ka problem në prodhimin e ilaçeve, ka problem në lëndët e para, ka problem në materialet e ambalazhimit të tyre“- shprehet Dionysis Evgenidis, kryetar i shoqatës farmaceutike të Selanikut.
“Jam 39 vjet farmaciste, hera e parë që shoh diçka të tillë”– thotë farmacistja Georgia Konsta.
Shoqata Farmaceutike i ka dërguar peticion Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organizatës Kombëtare të Barnave duke kërkuar që autoritetet t’i japin përparësi tregut grek dhe të ndalojnë eksportet e këtyre barnave për të siguruar furnizimet.
Por nga ana tjetër duke qenë se Greqia ka çmimet më të ulëta për barnat në BE, fitimet janë më të mëdha për furnizuesit e barnave të cilët ruajnë në depot e tyre sasi të konsiderueshme ilaçesh, për ti shitur me çmim më të lartë. Edhe pse të ashtuquajturat eksporte paralele në vendet e BE ku çmimet janë më të favorshme , nuk janë të paligjshme, ligji parashikon që ato lejohen vetëm kur janë plotësuar nevojat e tregut grek
Ndaj dhe ministri grek i Shëndetësisë Thanos Pleuris paralajmëroi kompanitë që të respektojnë masat e vendosura nga autoritetet në një përpjekje për të përballuar mungesat, ndërsa ka urdhëruar ndalimin e eksportit të përkohshëm të 260 medikamenteve mjekësore si dhe mbylljen e dy magazinave farmaceutike në Greqinë e Veriut pasi refuzuan të deklaronin ilaçet stok të tyre.
Top Channel