Bjellorusia thirri në bisedë ambasadorin e Ukrainës, Dzhyhun Valery, për të protestuar kundër një rakete ukrainase të mbrojtjes ajrore që u ul pranë qytetit të Brestit në Bjellorusinë perëndimore.
Ministria e Jashtme në Minsk kërkoi nga që Ukraina që “të kryejë një hetim të plotë” dhe “të mbajë përgjegjës” personat e përfshirë.
Deri tani nuk janë raportuar viktima.
Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha më herët se mbrojtja e saj ajrore kishte rrëzuar një raketë ukrainase S-300 në rajonin kufitar të Brestit, në orët e hershme të mëngjesit.
Ukraina u shënjestra nga një tjetër breshëri raketash ruse të entjen.
Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia lëshoi mbi 120 raketa.
Sipas administratës rajonale, në Kiev, sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan për të shmangur sulmin me raketa. Në qytet u dëgjuan krisma shpërthimesh.
Autoritetet ukrainase në disa rajone thanë se disa raketa ruse u neutralizuan.
Më 22 dhjetor, Ukraina tha se po përgatitet për një ofensivë eventuale të re të shkallës së gjerë nga forcat ruse, në fillim të vitit që po vjen.
Rusia po vazhdon të grumbullojë trupa në Bjellorusinë fqinje, një vend që Moska e ka përdorur si platformë për ta sulmuar Ukrainën.
Deri më tani, forcat bjelloruse nuk i janë bashkuar luftës së Rusisë në Ukrainë.
Megjithatë, një takim i zhvilluar së voni ndërmjet presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, ka nxitur spekulimet se Moska po përpiqet t’i bëjë trysni Minskut që t’i bashkohet luftës.
Top Channel