Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delinda Ibrahimaj ka konfirmuar se prokuroria po heton Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë së ajo drejton, për shpërdorim detyre.
E pyetur nga gazetari Geri Kolgega, Ibrahimaj tha se është në dijeni të rastit dhe do të jetë prokuroria ajo që do të japë rezultatet e hetimit, pa dhënë shumë detaje.
–Top Channel ka zbuluar se sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave është nën hetim nga Prokuroria në lidhje me dëmshpërblimin për herë të dytë të një ish-objekti shtetëror dhe që përllogaritet se i ka shkaktuar buxhetit dëm në vlerën e 480 milionë lekëve. A jeni ju në dijeni për këtë hetim?
Ibrahimaj: Sigurisht që jam në dijeni dhe Prokuroria do bëjë punën e vet. Ministria e Financave dhe Ekonomisë kryen pagesa dhe ka në funksionin e vet primar kryerjen e pagesave përmes thesarit për llogari të qeverisë. Prokuroria po bën punën dhe jam e bindur që do dalë me rezultat e veta.
Por pse është nën hetim Arlind Gjokutaj?
Sekretari, së bashku me dy drejtorë të këtij institucioni ka dyshime se kanë shpërdoruar detyrën sipas një hetimit të hapur ndaj shtetasit Ilir Thana, i cili u kompensua për privatizimin e një ndërmarrjeje shtetërore pavarësisht se ishte paguar dhe herë tjetër. Prokuroria e Tiranës po heton disa funksionarë pranë Ministrisë së Financave për këtë çështje që përfshin një dëm disa milionë lekë.
Shuma prej 480 milionë lekë që iu kalua shtetasit Thana nga hetimet e deri tanishme të prokurorit Ndini Tavani vlerësohet si një vjedhje në Buxhetin e Shtetit. I dyshuari Thana dyshohet se u ndihmua për mashtrimin nga zyrtarë por edhe përmbarues edhe ata nën hetim. Burimet zyrtare i thanë Top Channel se shkresa që vë në pozitë të vështirë sekretarin e përgjithshëm të financave Arlind Gjokutaj mban datën 14 shtator 2022.
Top Channel